Ekskluzive/ SPAK i sekuestron telefonin Drejtorit të Tatimeve dhe dy vartësve të tij!

19 Mars 2024, 10:43Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ceno Klosi

Prokuroria e Posaçme konfirmoi se ka nisur hetimet ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ceno Klosi për veprat penale korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Burime për VoxNews kanë thënë se SPAK i ka sekuestruar telefonin Drejtorit të Tatimeve, Ceno Klosi si dhe dy vartësve të tij, shefit të kabinetit, Elird Qendro dhe drejtorit të rimbursimeve, Gjergj Smokthina. 

SPAK njoftoi se hetimet ndaj Klosit u regjistruan mbi bazën e dy kallëzimeve të bëra nga Partia Demokratike një më 3 korrik 2023 dhe kallëzimi i dytë nga PD është bërë më 13 dhjetor të vitit të kaluar.

“Mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar nga grupi parlamentar i subjektit politik Partia Demokratike, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.259/2023 datë 13.12.2023, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike ”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimi””, njoftoi prokuroria.

Sikurse rezulton nga të dhënat zyrtare të institucionit të akuzës, 7 muaj pas kallëzimit të parë opozita ka depozituar një tjetër kallëzim ndaj drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve Klosi.

Për të njëjtin fakt Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar Procedimin Penal Nr.83/2023 datë 03.07.2023, mbi bazën e kallëzimit penal të dërguar gjithashtu nga subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë, për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”. SPAK ka vendosur bashkimin e dy procedimeve në një të vetëm.

©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video