
Pak ditë më parë policia e Tiranës njoftoi se ka arrestuar një 43 vjeçar se ka tentuar të korruptojë drejtorin e AKU-së Rajonale në Tiranë (Autoriteti Kombëtar i Ushqimit).
Sipas policisë 43-vjeçari, pronar i një baxhoje i ka ofruar, Elban Zavalanit, një shumë parash, me qëllim lehtësimin e procedurave për testimin e produkteve të baxhos së tij.
Ngjarja kaloi pa ndonjë vëmendje të madhe, edhe pse siguria ushqimore mbetet një sfidë e përhershme që reflektohet me doza të forta kritike edhe në raportet e përvitshme të progresit të Komisionit Europian.
Në këto raporte, Komisioni rekomandon disa hapa, që kryesisht janë teknikë dhe që lidhen me legjislacionin, por jo me zbatimin e tij.
Por, më shumë se çështje legjislacioni siguria ushqimore në Shqipëri është një çështje dëshire e vullneti për ta zbatuar atë.
Ka drejtues të AKU-t që e zbatojnë me përpikmëri, ka të tjerë që neglizhojnë dhe ka nga ata që e zbatojnë për interesa të ngushta personale e korruptive.
Si ndarje, drejtoria rajonale e AKU-t në Tiranë, e drejtuar nga Elban Zavalani mbron thuajse gjysmën e konsumatorëve shqiptarë.
Kjo drejtori ka edhe vëmendjen kryesore sa i përket stafit, trajtimit të tij financiar si dhe plotësimit të kushteve teknike e logjistike për ta ushtruar këtë detyrë.
A është AKU i Tiranës në lartësinë e kësaj detyre?
Të dhëna paraprake të siguruara nga burime të Voxnews.al brenda kësaj drejtorie sugjerojnë që jo. Burimet ngrenë dyshime se drejtuesi i AKU-t është në dijeni të një skeme gjobëvënëse që zbatojnë inspektorët në varësi të tij ndaj bizneseve.
Skema, sipas sinjalizimit të marrë në redaksinë e Voxnews.al është e thjeshtë.
Bizneset që kapen me shkelje për të cilat legjislacioni parashikon gjobë, kërcënohen nga inspektorët me padi në prokurorinë e Tiranës, ku kreu i AKU-t të Tiranës ka në funksionin e prokurores një njeri të familjes, nëse refuzojnë që të paguajnë ‘gjobën nën dorë’.
Denoncimi i mbërritur në Voxneës.al kërkon një hetim më të thelluar, ndërsa drejtuesi i AKU-t të Tiranës është akuzuar edhe nga opozita në mes të muajit korrik për shantazh dhe gjobë ndaj bizneseve.
Pranë redaksisë tonë ka me dhjetëra raste të denoncimeve nga subjekte kur inspektorët e AKU janë kthyer në taksidarë.
Drejtuesi i ri i AKU, Edmond Rrushi, edhe pse tenton që të bëjë një reformim të institucionit që merret me sigurinë ushqimore, degën e Tiranës e ka totalisht jashtë kontrollit.
Në vijim do të publikojmë shumë raste denoncimi që lidhen me AKU Tiranës, dhe listën e subjekteve ku shkojnë inspektorët dhe më pas iu vjen telefonata nga drejtoria për tu larguar pa lënë asnjë konstatim.
©Copyright VoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.