“Sulmi ndaj bizneseve krijon precedent të rrezikshëm si në ’97-ën. Disa po tërheqin mallin nga dyqanet”

16 October 2026, 21:54Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

“Sulmi ndaj bizneseve krijon precedent të rrezikshëm si në

Florian Zekja, si përfaqësues i biznesit, deklaroi se sulmi ndaj bizneseve private krijon precedent të rrezikshëm.

“Biznesi nuk është kundër protestave sepse flitet për studentët, të cilët janë e ardhmja e vendit, është një produkt që në fund të fundit i intereson biznesit. Por, ajo çfarë po shohim këto ditë është një precedent i cili nuk ka fare lidhje me protestën, sepse të sulmosh bizneset nuk është goditje e vogël. Për më tepër, mosreagimi i policisë, mefshtësia e policisë dhe synimi i një pjese të kësaj proteste e cila është e drejtuar kundrejt biznesit, normalisht që na çon në disa situata që kanë lidhje me 1997 dhe kjo prodhon precedent të rrezikshëm”, tha Zekja në A2CNN.

Sipas tij, policia duhet ta mbrojë biznesin dhe gjithashtu duhet të identifikojë ata persona që e sulmojnë atë.

“Një neglizhencë e tillë mund të çojë atë që biznesi do vetëmbrohet. Disa biznese po rrinë deri në orët e vona për të mbrojtur bizneset e tyre, por edhe po tërheqin mallrat që kanë në dyqan, po i marrin në shtëpi dhe po i sjellin ditën e nesërme. Protesta duhet të ndahet nga ato grupime të cilat kanë qëllime që nuk kanë lidhje me studentët. Kështu që, përgjegjësia e policisë dhe e shtetit është e dyfishtë. Në radhë të parë duhet t'i mbrojë sepse biznesi, përderisa paguan taksa, duhet të jetë i mbrojtur. Dhe e dyta, nëse ka segmente të cilat kanë qëllime të caktuara, atëherë ato duhet të parandalohen dhe duhet të ndahen nga studentët”, shtoi Florian Zekja. 


Video