Zbulohet lëvizja e Athinës! Mitsotakis do ta bëjë eurodeputet Fredi Belerin për ta liruar nga burgu shqiptar?!

5 Mars 2024, 19:16Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kryeministri grek, Kiriakos Mitsotakis dhe Fredi Beleri

Kiriakos Mitsotakis mund ta përfshijë Fredi Belerin në listën e sigurtë të Demokracisë së Re për zgjedhjet për Parlamentin Europian që mbahen nga datat 6 deri në 9 qershor të këtij viti.

Kështu shkruajnë mediat greke. Sipas portalit ‘Parapolitika’, kjo mund të jetë një strategji e Mitsotakis për të shprehur indinjatën ndaj Brukselit zyrtar që i shpërfilli kërkesat e njëpasnjëshme të Athinës zyrtare për të ushtruar presion ndaj Shqipërisë për lirimin e tij dhe betimin si kryebashkiak i Himarës.

Parapolitika shkruan se kjo hipotezë është hedhur në tryezën e bisedimeve për përzgjedhjen e kandidatëve për eurodeputetë nga radhët e Demokracisë së Re. Veç karakterit simbolik në këtë përzgjedhje, lëvizja e Mitsotakis konsiderohet edhe si strategji elektorale për të tërhequr pas vetes votën e ekstremistëve, që e kanë kritikuar për qëndrimin e butë ndaj Shqipërisë për çështjen Beleri.

Gjykata e Posaçme në Shqipëri dënoi Fredi Belerin me dy vite burg pasi e gjeti fajtor për shitblerje vote. Vendimi mund të apelohet brenda dy javëve nga avokatët e tij. Megjithatë, edhe një vendim i apelit nuk pritet para zgjedhjeve për eurodeputetë në PE.

Kjo do të thotë se nëse zgjidhet në këto zgjedhje, Fredi Beleri do të rezoltonte i një rast unikal në botë, jo vetëm si kryebashkiak i zgjedhur dhe i dënuar nga drejtësia, por edhe si eurodeputet i zgjedhur, por i dënuar.

Nëse ai kandidohet nga Mitsotakis dhe zgjidhet eurodeputet, presioni ndaj Shqipërisë për ta liruar mund të shtohet. Megjithatë, ky nuk është rasti i parë që vendi ynë përplaset me eurodeputetë grekë. Në 2018-n, Shqipëria shpalli non grata eurodeputeten greke të Qipros, Eleni Theocharous pas thirrjeve antishqiptare që ajo bëri nga Bularati, pas varrimit të Konstantinos Katsifas, ekstremisti grek i vrarë nga forcat speciale shqiptare në Bularat.

©Copyright VoxNews

Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video