
Më shumë sesa më fjalë, politika flet me vepra dhe me figurë kur do të përçojë mesazhe për një person, apo grup të caktuar personash. Këto mesazhe fshihen nën hundën e publikut të gjerë.
Zv.kryeministrja Belinda Balluku ka folur me fjalë. Për veprat, ato le t’i gjykojnë vetë qytetarët. Por, ne mund të interpretojmë një foto të fundit, ku numri dy i qeverisë shfaqet në një kafe me drejtorin e Tatimeve, Ceno Klosi.
Fotoja u shpërnda fillimisht në një media opozitare dhe më pas u përhap me shpejtësi edhe në rrjet, duke ngritur shumë pikëpyetje mbi qëllimin e takimit, çfarë e lidh Ballukun me vartësin e një ministrie tjetër, e të tjera si këto.
Por, askush dhe askund nuk u përmend fakti që nëse Balluku do të dëshironte një takim sekret me Ceno Klosin, nuk do të zgjidhte një vend aq publik sa vendi ku është shkrepur fotoja, që duket qartë që është një bar i tejmbushur me njerëz.
Kjo të çon të dyshimi se fotoja nga takimi që u shit sekret nuk është as sekrete, madje edhe vetë takimi bashkë me foton në fjalë janë përdorur për një qëllim; përçimin e një mesazhi te ministri i ri i Financave, Ervin Mete.
Mesazhi i përçuar në këtë rast është i qartë; Ceno Klosi është njeriu i Ballukut dhe ai nuk preket dhe kushdo që e prek ka punë me Ballukun, e për rrjedhojë me vetë Edi Ramën.
Por, çfarë e lidh Ceno Klosin e Tatimeve, në varësi të drejtpërdrejt të Ministrisë së Financave dhe Ballukun zëvendëskryeministre?
Kur Delina Ibrahimaj mori detyrën si ministre e Financave, dy ishin emrat e vartësve që u përplas më shumë. I pari ishte Ceno Klosi, drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, i dyti Gent Gazheli, drejtor i Përgjithshëm i Doganave.
Thashethemet korridoreve të ministrisë në atë kohë flisnin për një shpërfillje totale që dy drejtorët ‘e sponsorizuar’ nga Arben Ahmetaj në këto poste, u bënin urdhrave dhe udhëzimeve të Delina Ibrahimajt.
Me largimin e Ahmetajt nga Qeveria dhe më pas me arratisjen nga Shqipëria, Ceno Klosin dhe Gent Gazhelin me sa duket i ka marrë në patronazhim, Belinda Balluku. Sa kohë ishte Arben Ahmetaj, Delina Ibrahimaj nuk pati guximin që të shkarkonte, as të parin dhe as të dytin, megjithë akuzat publike të ngritura ndaj tyre.
Pyetja është, a do të gjejë Ervin Mete guxim që të bëjë atë që s’e bëri dot Ibrahimaj?
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.