
Lulzim Basha thirri Kuvendin e Partisë Demokratike këtë të shtunë të 2 shtatorit si një manifestim të liberalizmit, ku në qendër do të ishte interesi kombëtar dhe ai qytetar që do të prevalonte mbi interesin vetjak të kryetarit të partisë.
Në fjalimin prej gati një orë që mbajti, Basha foli për gjithçka. Foli për kulla korruptive, kastë të vjetër politike e se si ai dhe mbështetësit e tij do t’i japin shpresë Shqipërisë. Fjalën revolucion e shmangu, por përmendi mes rreshtave se do t’i japë fund diktaturës së kryetarëve në parti.
Por, nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë, thotë populli.
Kështu është edhe rasti i Lulzim Bashës. Nëse në fjalim flet për kryetarë që po u marrin frymën e diktojnë vendimet e tyre në forumet partiake, e më pas edhe në Kuvend dhe Qeveri, në statut bën krejt të kundërtën.
Përmes ndryshimeve statutore Lulzim Basha përforcon pozitat e veta në krye të PD-së (gjithmonë nëse vulën në fund drejtësia do t’ja japë atij dhe jo Sali Berishës). Ai thotë që kandidatët për kryetarë bashkish dhe kandidatët për deputetë zgjidhen nga baza dhe jo nga kryetari.
Në pamje të parë, ky parashikim në statut krijon idenë e një partie që në thelb të vendimmarrjes së saj ka kolegjialitetin, sidomos kur bëhet fjalë për kandidatët e qeverisjes vendore dhe qendrore.
Por, një parashikim tjetër statutor e zhvlerëson gjithë këtë përpjekje, sepse nëni 27 i statutit i jep Bashës autoritetin që të përjashtojë këdo nga partia, sidomos gjatë fushatave elektorale. Kjo do të thotë se Basha mund të përjashtojë nga partia çdo kandidat për kryetar bashkie, apo për deputet që nuk i bindet, apo që i kundërvihet.
Ndryshimet e tjera, që në përmbajtje nuk përputhen me retorikën e Bashës në Kuvend lidhen me kreun e grupit parlamentar të PD-së. Deri më tani, ky post caktohej përmes votimit të deputetëve të grupit dhe Këshillit Kombëtar. Duke nisur nga e hëna, Lulzim Basha e ka caktuar me statut, se përsa kohë PD do të jetë në opozitë, do të jetë ai kryetari i grupit parlamentar të partisë në Kuvend.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.