Rast i paprecedent i gjyqtarit të GJKKO që kërkon anulimin e një kontrate koncesionare

21 Gusht 2023, 21:15Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Erjon Bani/ Sterilizimi/ Ilir Beqaj

Vendimi i gjyqtarit të posaçëm, Erjon Bani ku kërkon anulimin e koncesionit të sterilizimit është një rast sui generis, i vetmi i këtij lloji në drejtësinë shqiptare dhe ndoshta ndër të vetmit edhe për standardet ndërkombëtare të drejtësisë.

Kërkesa për anulimin e koncesionit nën argumentimin se ka pasur konflik interesi gjatë dhënies së tij për një pjesë të mirë të ekspertëve dhe juristëve shqiptarë ngre dyshime për tejkalim kompetencash nga ana e Gjykatës së Posaçme.

Kjo gjykatë ka kompetenca thelbësisht penale, që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet e larta. Por, me kërkesën drejtuar ILDKPKI për anulimin e koncesionit, gjykata ka hyrë në kompetencat e pushtetit ekzekutiv.

Koncesioni i sterilizimit është dhënë nga Ministria e Shëndetësisë. Të drejtën për anulimin e tij e kanë pasur gjatë shqyrtimit të procedurave komisionet e vlerësimit të ofertave dhe më pas Komisioni i Prokurimit Publik, ndërsa të drejtën për ta ndërprerë atë në çdo kohë e ka autoriteti kontraktor, në këtë rast Ministria e Shëndetësisë.

Kërkesa e GJKKO drejt ILDKPKI ngre dyshime për tejkalim kompetencash nga ana e gjykatës. Ligji parashikon që ILDKPI vihet në lëvizje ndër të tjera me kërkesë të institucioneve publike dhe jo me njoftim.

Si rrjedhojë ILDKPI do të vlerësojë si institucion të iniciojë hetimin adminstrativ për rastin apo jo. Në çdo rast, ILDKPI nëse bën hetim duhet të dorëzojë ankim tek Ministria përkatesë që është autoriteti kontraktor dhe fjala e fundit do i takojë Ministrisë nëse janë kushtet e konstatimit të pavlefshmërisë së kontratës për efekt të konfliktit të interesit ose jo.

Nëse Ministria vendos pavlefshmërinë, pala përfituese e koncesionit ka të drejtë ta kundërshtojë aktin në rrugë administrative për të kërkuar pavlefshmërinë e vendimit të Ministrisë dhe shpërblimin e dëmit. Kundërshtime të këtij lloji janë akte civile që shqyrtohen nga gjykatat administrative të vendit.

Kjo do të thotë se pavlefshmëria e koncesionit nuk është në dorë të një gjykate penale, siç është gjykata e posaçme, por vendoset së pari nga autoriteti kontraktor që ka dhënë koncesionin dhe së dyti nga gjykatat administrative, gjykata e lartë, deri edhe te gjykatat ndërkombëtare të arbitrazhit si hallkat e fundit.

Kjo është arsyeja se pse vendimi i gjyqtarit Erjon Bani është i pashoq dhe përbën një precedent të rrezikshëm edhe për standardet e drejtësisë shqiptare, duke u dhënë një kazus çdo gjykate penale që të japë vendime që janë kompetencë e pushtetit ekzekutiv dhe për më tepër lëndë parësore pune për gjykatat administrative. 

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Video