
Shënim- Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë sot masat për tetë personat e përfshirë në tenderin e koncesionit të sterilizimit, i cili deri tani ka çuar në pranga ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë, Klodjan Rjepaj, biznesmenin përftues të 100 milionë eurove, Ilir Rrapaj, si edhe ka dhënë masat për gjashtë zyrtarë të tjerë.
Por ndërsa shumë ngritën pikëpyetje se pse mungonte emri i Ilir Beqjas, ministri i Shëndetësisë që firmosi këtë koncesion dhe mik i ngushtë i biznesmenit Ilir Rrapaj, një tjetër standart i dyfishtë vjen nga SPAK.
Në njoftimin zyrtar sa i takon 8 masave të sigurisë të lëshuara nga GJKKO për ish-zyrtarët, SPAK i përmendte emrat e tetë akuzuarve vetëm me iniciale, ndërsa akuzat ishin “shpërdorimi i detyrës” dhe “falsifikimi i dokumenteve.”
Dystandarti qëndron se për çdo njoftim, SPAK i ka dhënë emrat e të akuzuarve të plotë dhe jo me iniciale siç ndodhi për të akuzuarit e koncesionit të sterilizimit.
Mjafton të hedhësh një vështrim në njoftimet e SPAK në faqen e tyre online dhe në të gjitha njoftimet emrat e të akuzuarve janë të plotë, që nga njoftimi për konfiskimin e inceneratorit të Tiranës, dosjen e ish-kryebashkiakut të Fushës Arrësit e deri te të akuzuarit e krimit të organizuar.
Madje, SPAK pati sot dy njoftime zyrtare, të koncesionit të sterilizimit dhe dërgimit për gjykim të tre punonjësve të bashkisë Shkodër dhe ish-drejtorin e ujësjellësit të këtij qyteti të akuzuar për “korrupsion aktiv në zgjedhje”.
Për ironi, emrat e këtyreve të fundit, SPAK i publikoi të plotë.
Në këtë mënyrë, SPAK po tregon dhe njëherë, ashtu siç është akuzuar nga shumë faktorë, se vepron me dy standarde.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.