Beleri, huliganët dhe Presidenti kroat / Dy standardet e qëndrimit grek me drejtësinë

16 Gusht 2023, 11:48Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rama, Mitsotakis dhe Milanoviç

Me protesta, deklarata dhe kërkesa që kanë mbërritur deri në Bruksel, Greqia kërkon lirimin e Fredi Belerit, duke kërcënuar madje me bllokim të procesit të integrimit për Shqipërinë.

Kundër-reagimit të palës shqiptare se kërkesat dhe protestat në Himarë janë ndërhyrje e pastër në sistemin e drejtësisë, zërat nga Athina u janë përgjigjur me shpërfillje.

Por, tjetër standard kanë ndjekur autoritetet greke në rastin arrestimit të 100 tifozëve kroatë për përplasjet me tifozët e AEK, ku një 29-vjeçar grek gjeti vdekjen dhe tjetër standard e qëndrim ndjekin në rastin e Belerit.

Kur Presidenti kroat, Zoran Milanoviç deklaroi se mbajtja në burg e 100 tifozëve kroatë më shumë se drejtësi është hakmarrje e Greqisë ndaj tyre, autoritetet greke reaguan furishëm duke e konsideruar këtë deklaratë si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

Shoqata e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve doli me një deklaratë zyrtare duke dënuar qëndrimin e Presidenti kroat, që thotë se është ofendues për demokracinë greke. Shoqata thotë se Greqia ka një traditë dhe legjislacion të konsoliduar të respektimit të të drejtave të njeriut.

Por, në rastin e Fredi Belerit zyrtarë grekë në Bruksel dhe në Athinë i japin të drejtën vetes që të paragjykojnë një proces gjyqësor në Shqipëri, ta konsiderojnë shkelje të të drejtave të njeriut e të kërcënojnë me veto integrimin.

Video