Çarçafi i Ramës nuk mbulon ‘çnderimin’ e opozitës me kullën

11 Gusht 2023, 15:37Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Edi Rama / Sali Berisha dhe Shkëlzen Berisha

Shënim: Çarçafi që Edi Rama shtroi që në mëngjes në Facebook-un e tij, si për të treguar virgjërinë e opozitës, lumturoi mediat dhe portalet pranë opozitës. Reagimi i kryeministrit u mor si rrallëherë prej mediave pranë Berishës dhe u pasqyrua si prova e pakundërshtueshme që pas kullës në lulishten e teatrit të operas dhe baletit nuk qëndron Sali Berisha, apo djali i tij, Shkëlzeni.

Ndoshta ky ka qenë edhe qëllimi i Kryeministrit, që të nxjerrë nga bataku i heshtjes dhe reagimit të zbehtë teorik, pa argumente e fakte që të njëjtat media paraqitën të sforcuara këto ditë për të kundërshtuar akuzën monstruoze se kulla ishte simboli i blerjes së zgjedhjeve nga ana e Edi Ramës.

Ata që e kanë ndjekur debatin e këtyre ditëve e dinë shumë mirë që do të ishte naivitet i tepruar që të kërkoje nga Edi Rama, që në një mëngjes prag-fundjave, për më tepër në të ngrihej e të qëndiste në rrjetet sociale një çarçaf ku të pranonte se kulla ishte e Sali Berishës dhe ajo ishte çmimi me të cilën bleu opozitën para 14 majit.

Do të ishte naivitet, sepse nëse Rama do të pranonte këtë, atëherë nuk i ngelte gjë tjetër veçse dorëheqja, pasi me firmën e tij është dhënë leja për ndërtimin e kësaj kulle. Megjithatë, postimi në vetvete me një gjuhë të zgjedhur, plot dialektalizma, fjali të stërzgjatura me shënjestër të përqëndruar te protestuesit anti-kullë, në thelb pranon se Kulla, në mos e Sali Berishës, është ura lidhëse e pushtetit të tij me Sali Berishën.

Ndryshe nga sa bën me Arlind Qorin e Lëvizjes Bashkë dhe Lulzim Bashën, Rama shmang çdo nënkuptim, apo referencë që të mund ta lidhë reagimin me Sali Berishën. Si Qori, ashtu edhe Basha dhe deputetë të PD-së zyrtare e kanë denoncuar kullën si simbol të korruptimit dhe blerjes së kauzës opozitare.

Jashtë shënjestrës së Ramës nuk kanë mbetur as gazetarë, apo media që i kanë dhënë zë protestës, apo kanë ngritur pikëpyetje dhe dyshime mbi pronësinë reale të saj. Ai i akuzon se hapën thasët e baltës për të ushqyer dëgjues e lexues me thashetheme, por pa sjellë asnjë provë, apo indicie që të provojë të kundërtën.

Përsa kohë as Rama dhe as kompania, që Kryeministri thotë se po sulmohet me pa të drejtë nuk provojnë dot të kundërtën e atyre që akuzohen për pronësinë, akuzat nuk mund të mbeten thjesht thashetheme...

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video