
Shënim: Ka një arsye që opozita ka humbur në seri zgjedhjet përballë Edi Ramës dhe ajo nuk lidhet më shumë as me përçarjen e saj, as me alibinë blerjes së tyre nga mazhoranca socialiste.
Arsyeja e vërtetë është dështimi me, apo pa dashje i Partisë Demokratike që të shohë të vërtetën në sy dhe të pranojë se përballë denoncimit të keqqeverisjes dhe korrupsionit, standardi i ndjekur prej saj nuk ka qenë i njëjtë.
Partia Demokratike para 2021 dhe dy copat e saj pas këtij viti janë përpjekur dhe kanë dështuar që të shndërrojnë në kauza çështje që lidhen pak, ose aspak me interesat e përditshme të qytetarëve. Si shembull, kur qeveria jepte koncesione miliona euro të rrugëve duke i shndërruar ato me pagesë dhe me kosto shtesë për shqiptarët, opozita fliste për Charles McGonigal.
Kur banorët e Bërxullës protestuan se si po iu grabitej prona dhe se si kompania Gener 2 e Bashkim Ulajt kishte devijuar projektin, opozita qepi gojën dhe fliste sesi dosja amerikane e FBI me Charles McGonigal do të rrëzonte Edi Ramën në Tiranë.
E njëjta heshtje shoqëroi edhe koncesionin monstruoz Lekaj-Fier. Edhe për këtë, Partia Demokratike nuk tha asnjë fjalë, pavarësisht se bëhet fjalë për një biznes të ngritur, ku kompania koncesionare me investim minimal do të përfitojë për 35 vite të paktën 1.5 miliardë euro të ardhura nga tarifat që do të paguajnë qytetarët.
Përsëritja është mëma e dijes thonë, por në rastin e opozitës përsëritja e të njëjtës strategji, ku hesht për kullën e oligarkëve në qendër të Tiranës dhe kapet pas fijes së barit të inceneratorit të Tiranës (që është duke u hetuar nga SPAK) është budallallëk. Nuk bëhet fjalë për një budallallëk nga padija, më shumë se sa një qëndrim me vetëdije të plotë që opozita e përdor për të fshehur lidhjet që ka me oligarkët dhe koncesionet e përfituara prej tyre.
Nuk është e panjohur lidhja e opozitës, asaj të Foltores dhe asaj të Vulës me ndërtuesin e kullës 67 kate pas Teatrit të Operas dhe Baletit. As lidhja me Gener 2 dhe Bashkim Ulajn e koncesionit Thumanë-Kashar. Dihen edhe lidhje me tetë kompanitë që kanë bashkuar ofertën për koncesionin Lekaj-Fier, për të vijuar më tej me koncesionin e Rrugës së Kombit e të tjerë koncesione për të cilat ka mbyllur sytë, veshët dhe zënë gojën.
Kjo është opozita, që vijon të përsërisë të njëjtën gabim dhe që çuditërisht të presë një rezultat ndryshe. A do t’ja arrijë? Shprehja e urtë thotë që budallallëk është të bësh të njëjtën gjë dhe të presësh rezultate të tjera.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.