Përse Berisha kërkon dorëheqjen e kreut të ILD-së, Artur Metanit?!

5 Gusht 2023, 17:54Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sali Berisha / ILD / Artur Metani


Prej disa ditësh, ish-kryeministri Sali Berisha është duke kërkuar publikisht dorëheqjen e kreut të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, Artur Metanit.

Berisha ka lëshuar një lumë akuzash, duke e quajtur Metanin si një prej personave të përfshirë në aferën e inceneratorëve. Akuzat e Berishës janë aq pompoze sa tenton të bindë se Metani është "truri" i inceneratorëve, një strategji që Berisha e përdori edhe me Arben Ahmetajn, të cilin më pas e mori në mbrojtje.

Por edhe një fëmijë e ka të lehtë ta kuptojë se Artur Metani nuk ka asnjë lidhje me procedurën e inceneratorëve.

Atëherë, cila është arsyeja e vërtetë që Berisha kërkon dorëheqjen e Artur Metanit? Në fakt, Berisha duket se i ka vënë syrin postit që Metani mban, duke kërkuar të kapë ILD-në, një prej institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë në vend, që monitoron të gjithë aktivitetin e çdo prokurori, përfshirë dhe ata të SPAK.

Siç edhe vetë Berisha e cilëson, ILD është "kryeministria" e drejtësisë shqiptare dhe kapja e këtij institucioni për rrjedhojë nënkupton kapjen e të gjithë sistemit të drejtësisë në vend.

ILD-ja është institucioni përgjegjës për shqyrtimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe deri të Prokurorit të Përgjithshëm.

Berisha kërkon ta kapë këtë institucion për të shantazhuar prokurorët e SPAK, që thuhet se kanë gati dosjet e Shkëlzen Berishës dhe Jamarbër Malltezit. Të dy këta janë të paditur në SPAK si për skandalin e "Gërdecit" dhe privatizimin e kompleksit Partizani në Tiranë.

Por nëse Artur Metani largohet siç kërkon Berisha, atëherë do të duhej që të mblidhej Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, për të caktuar një kandidaturë të re, që më pas do i shkonte Parlamentit për t'u votuar me shumicë të cilësuar. Këtu Berisha shpreson të përdorë ndikimin e tij, pasi disa anëtarë të KED-së kanë lidhje të forta si me Berishën edhe me aleatin e tij, Ilir Metën.

KED do të duhet të propozonte tre emra të rinj, të cilët më pas i shkojnë parlamentit dhe më i votuari zgjidhet kryetar i ri i Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë.

Është e qartë që plani ogurzi i Sali Berishës është kapja e ILD-së, institucion përmes të cilit të tentojë kapjen dhe kontrollin e SPAK-ut, për të mbrojtur familjarët e tij me dosje për përfshirje në afera të rënda dhe korrupsion madhor.

Kjo është arsyeja pse Berisha i ushtron presion Artur Metanit që të largohet nga ILD-ja, për t'i hapur rrugë njerëzve të Berishës të kapin këtë institucion dhe më pas të kontrollojnë drejtësinë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video