Në përgjime edhe ish-drejtori i Policisë së Tiranës? Komunikimet e Bistrit me Gjokën nxjerrin emrin ‘Rebani’

5 Gusht 2023, 19:59Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ish Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj

Përgjimet e dala nga dosja ‘Metamorfoza’ tregojnë shtrirjen e madhe gjeografike dhe vertikale në hierarkinë e policisë së shtetit të ndikimit të Pëllumb Gjokës, biznesmenit të akuzuar nga SPAK për vrasje.

Përgjimet zbulojnë se gjatë komunikimeve të Gjokës me Oltian Bistrin, ky i fundit përmend në më shumë se një rast emrin ‘Rebani’. Është e paqartë nëse bëhet fjalë për Rebani Jaupin, por në kohën që janë regjistruar këto komunikime Oltian Bistri ishte shef i komisariatit numër 2 në Tiranë, ndërsa Rebani Jaupi drejtor i policisë së Tiranës.

Komunikimi lidhej me një kazino që biznesmeni Gjoka e mbante hapur në kundërshtim me ligjin në kryeqytet.

Sipas asaj që Oltian Bistri i thotë pronarit të kazinosë, Pëllumb Gjokës, ‘Rebaniu’ është trembur gjatë një aksioni kundër lojërave të fatit që ndërmerrej në atë kohë, pasi për kazinonë e tij kishte shprehur shqetësim edhe ministri Sandër Lleshaj.

Bëhet fjalë për një aksion të ndërmarrë nga policia më 20 shkurt të vitit 2020. Kur aksioni nis, Bistri informon Gjokën duke i shkruar që të bëjë kujdes, të mos rrijë në qarkullim dhe të fikë telefonin. Këshillat e Bistrit për Gjokën, siç nënkuptohet nga mesazhet, janë thjesht për merak pasi, siç thotë ai, ‘drejtori i ka thënë se do ta heqë nga lista e kontrolleve kazinonë e tij’.

Në atë kohë Rebani Jaupi ishte Drejtor i Policisë së Tiranës dhe informacionet që Bistri i dërgonte për Pëllumb Gjokën kanë të bëjnë me operacionin e quajtur “Fati i lojërave”.

Përgjimet tregojnë se Oltian Bistri si shef i komisariatit që mbulonte zonën ku ushtronte aktivitetin kazinoja e Pëllumb Gjokës, refuzonte ta mbyllte atë. Në bisedë ai përmend edhe 1500 euro, por se nuk po e bëntë për para mosmbylljen e saj, por për hir të fjalës që i kishte dhënë Pëllumb Gjokës. 

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video