100 mln euro për kullën pas TKOB, kompania ‘Nova Construction’ nuk i ka paratë

9 Gusht 2023, 15:24Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kulla 64-katëshe e Nova Construction

Kostoja e ndërtimit të kullës ‘Mali i Tiranës’ në lulishten pas Teatrit të Operës dhe Baletit përllogaritet në rreth 100 milionë euro, sipas projektit fitues të studios daneze të arkitekturës, Cebra. Kompania e listuar si partnere e CEBRA-s dhe që do të ndërtojë këtë kullë, kundërshtuar nga aktivistë të shoqërisë civile dhe nga Lëvizja Bashkë, është ‘Nova Construction 2012’.

Mes të tjerave, protestuesit, por edhe një pjesë e deputetëve dhe drejtuesve të Partisë Demokratike zyrtare ngrenë dyshime mbi kapacitetet financiare të kësaj kompanie për ta ndërtuar këtë kullës. I fundit që ngriti shqetësim mbi mundësinë e pastrimit të parave në këtë kullë ishte kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi.

Por, çfarë i ushqen mëdyshjet për financimin e kullës me 64 kate? Së pari janë të dhënat financiare të kompanisë ‘Nova Construction’. Sipas bilanceve financiare të vitit të kaluar të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Bizneseve nga vetë kompania, buxheti i saj është tepër modest për të realizuar një investim 100 milionë eurosh, aq sa përllogaritet kulla.

Kompania deklaron në fund të vitit të kaluar totalin e kapitalit dhe të detyrimeve në vlerë rreth 45 milionë euro. Nga këto, 42 milionë euro janë detyrime të saj. Pjesa dërrmuese e kësaj vlere janë në formën e pronave të patundshme që kompania ka ndërtuar, ose ka në proces ndërtimi.

Ndërkohë, për vitin 2022 ‘Nova Construction’ deklaron fitime në vlerën e 1.9 milionë eurove dhe 3.4 milionë euro vlerë mallrash që ka në inventar.

Shifrat pasqyrojnë një gjendje financiare relativisht të qëndrueshme për kompaninë, por shifra e likuiditetit, pra e parave që ajo ka në gjendje për investim është shumë larg vlerës prej 100 milionë euro, që përllogaritet kostoja e kullës në lulishten pas Teatrit të Operës dhe Baletit.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video