Përse Berisha nuk e përmend emrin e biznesmenit të kullës pas Operas?!

8 Gusht 2023, 19:38Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ish Kryeministri Sali Berisha

Në gjithë retorikën e tij politike, Sali Berisha nuk është shquar ndonjëherë për gjuhë të kujdesshme, madje përkundrazi. Berisha është shquar për gjuhën e ashpër, të drejtpërdrejt, me denoncime me emra, madje edhe duke u hyrë kundërshtarëve të vet politikë në dhomën e gjumit.

Në gojën e tij kanë përfunduar me radhë me dhjetëra e dhjetëra biznesmenë, herë drejtpërdrejt prej tij, herë përmes mesazheve të qytetarit digjital.

Por ka një emër biznesmeni që Berisha e ka shmangur dhe e shmangu edhe në konferencën e fundit për shtyp. Ish-Kryeministri, pasi cilësoi si shpifje pa ofruar ndonjë prove për të kundërtën akuzat se pas kullës në lulishten te Teatri i Operas dhe Baletit qëndron djali i tij, Shkëlzen Berisha, sfidoi Edi Ramën që të anulojë lejen e ndërtimit.

Të njëjtën gjë kishte bërë më herët edhe Shkëlzen Berisha. Por, as i pari dhe as i dyti nuk përmendën emrin e ndërtuesit, Ilir Shtufi. Nuk kanë sqaruar nëse kanë apo jo marrëdhënie me këtë biznesmen? Nuk kanë sqaruar lidhjen për të cilën flet media mes Shkëlzen Berishës dhe Ilir Shtufit.

Heshtja që ka kapluar Berishën dhe gjithë ekipin e foltores për të denoncuar një ndërtues që po ngre një kullë në një lulishte të Tiranës, në mos fajtorë, i bën ata të pabesueshëm në sytë e qytetarëve dhe hipokritë me denoncime selektive, ku biznesmenët e lidhur me Berishën nuk përmenden në emër, ndërsa ata që nuk janë të lidhur me të përmenden me rrënje e dhëmballë.

Por cfarë e pengon Berishën nga përmendja e emri të Ilir Shtufit, nëse jo interesat e drejtpërdrejta financiare që e lidhin me të?

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video