Shifrat e opozitës për inceneratorët si 7x7=42…

10 Gusht 2023, 19:46Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sali Berisha / Inceneratori i Elbasanit

Shënim: Që opozita nuk ka një marrëdhënie të mirë me shifrat, kjo dihet që kur Lulzim Basha shumëzonte në foltoren e Kuvendit shtatën me shtatë dhe përfundimi i dilte 42.

Por, ajo që nuk dihej deri më tani ishte niveli i histerisë me shifrat e atij që e quan vjedhja e shekullit me inceneratorët. Si shembull, për inceneratorin e Tiranës, opozita deklaronte fillimisht se po vidheshin 128 milionë euro, duke iu referuar shifrës që kompania koncesionare zotohet në kontratë të investojë deri në përfundimin e plotë të impiantit.

Më pas, shifra zbritet në 49 milionë euro për t’u rritur sërish befas në 400 milionë euro, më pas 750 milionë euro dhe tashmë nga goja e Berishës del shifra prej 900 milionë eurosh.

Për të kuptuar këtë paqëndrueshmëri të opozitës me shifrat në denoncimin e inceneratorëve, duhet shqyrtuar e kuptuar periudha kur shqiptohen këto shifra. Si shembull, Sali Berisha shqiptonte shifrën 400 milionë euro fill pasi u shpall non grata nga SHBA, ndërsa Lulzim Basha kur akuzohej për dosjen e lobimit me para ruse në Uashington..

Sot, shifrën 900 milionë euro po e shqipton në mes të akuzave se djali i tij, Shkëlzen Berisha qëndron pas kullës së projektuar për t’u ndërtuar në lulishten pas Teatrit të Operas dhe Baletit dhe dyshimeve për fshehjen e një vile në Lundër.

Prandaj, më shumë se strategji për të denoncuar një aferë korruptive, loja opozitare me shifrat për inceneratorët është një strategji për të zbehur e mbuluar në publik zullumet e veta. Pse? Arsyeja është thjesht se në dosjen e SPAK për inceneratorin e Tiranës, me anë të së cilës u vendos sekuestro preventive e impiantit nuk pasqyrohet asnjë prej shifrave opozitare.

Ato që pasqyrohen në SPAK është një shifër prej 4 milionë eurosh, që prokurora e posaçme dyshon se është përvetësuar në kundërshtim me ligjin. Kjo është e vetmja shifër zyrtare e abuzimit të dyshuar me inceneratorin e Tiranës që po heton SPAK.

Pjesa tjetër janë përllogaritje të sforcuara të tipit 7x7=42…

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video