Inceneratorët, fija e barit ku është kapur Berisha për të fshehur pazarin me Kullën

15 Gusht 2023, 18:57Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sali Berisha dhe projekti i Kullës 'Mali i Tiranës'

 

Shënim: Sali Berisha ka braktisur pushimet verore dhe thyerjen e rekordeve me not në Dhërmi, apo me ecje në Gjirin e Lalëzit këtë vit dhe prej dy javësh është angazhuar në deklarata, konferenca dhe postime në rrjetet sociale për të denoncuar atë që e quan afera e korruptive e shekullit.

Retorika e Berishës prej muajsh mbështetet vetëm te inceneratorët dhe hetimet e SPAK për koncesionin e tyre. Por, a janë inceneratorët dhe interesi i qytetarëve shqiptarë arsyeja kryesore se pse iu prish gjumi dhe pushimet e verore Sali Berishës?

Nëse u hedh një sy koncesioneve madhore për të cilat ai ka heshtur dhe hesht sot, dosjeve të dyshuara korruptive që po heton SPAK, atëherë kupton se inceneratorët janë më shumë alibi e ish-Kryeministrit dhe përpjekje për t’u kapur pas një fije bari e për të shmangur fundosjen bashkë me kullën pas Teatrit të Operas dhe Baletit.

Janë koncesione 1.3 miliardë euroshe, si ai Thumanë-Kashar, apo Lekaj-Fier, koncesione me normë fitimi 40 për qind si ai i aeroportit të Rinasit, apo me normë fitimi 60-65 për qind si ai i markimit të karburanteve.

Për të gjitha këto Berisha hesht dhe prej javësh retorika e tij vërtitet rreth të njëjtit fill. Pse? Përgjigjen e saktë për këtë pyetje do të duhet ta japë vetë ish-Kryeministri, por në mungesë të saj logjika të çon se qëllimi i vërtetë i Berishës është largimi i vëmendjes së publikut nga kulla pas Teatrit të Operës dhe Baletit.

Këtu fshihen, sipas asaj që e akuzon gjysma tjetër e PD-së dhe ish-ministri i tij në qeveri nga 2005 deri në 2013-të, Lulzim Basha, fijet që e lidhin me Edi Ramën dhe pushtetin e tij. Kulla, sipas pjesë opozitare të opozitës së Berishës është çmimi me të cilin ai shiti opozitarizmin në Shqipëri.

…dhe nuk bëhet fjalë për një çmim dosido. Kostoja e ndërtimit të kullës përflitet në rreth 100 milionë euro, ndërsa të ardhurat nga shitjet dhe qiraja, minimalisht do t’i sigurojnë 500 milionë euro dhe maksimalisht 1 miliardë euro.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Video