
Kulla ‘Mali i Tiranës’ mund të jetë maja e ajsbergut të një afere korruptive shumëvjeçare të familjes Berisha dhe SPAK e ka për detyrim, që të paktën të hetojë të gjitha akuzat dhe dyshimet e ngritura në lidhje me pronësinë reale të kompanisë ndërtuese të godinës.
Indiciet për ta bërë këtë i ka sheshit. Së pari, një postim në Facebook i Shkëlzen Berishës që thotë se prej 17 vitesh jeton me qira në Shqipëri dhe për më tepër paguan këtë qira shumë herë më pak se vlera reale e dhënies së vilave në Lundër.
Rasti i tij, në mos identik është i ngjashëm me atë të Arben Ahmetajt. Së pari, në rastin e Ahmetajt e akuzon se përdori një rrjet biznesmenësh për të pastruar paratë e korrupsionit. Për të njëjtën gjë po akuzohet publikisht edhe Shkëlzen Berisha.
Arben Ahmetajt iu zbuluan dy vila të vendosura në emër të ish-bashkëshortes dhe partneres, një në Palasë dhe një në Hamallaj. Për të dyja nuk justifikonte burimin e të ardhurave, madje për vilën në Palasë është munduar që ta fshehë në emër të një shqiptareje me nënshtetësi zvicerane.
Shkëlzen Berisha nga ana tjetër deklaron se rastësisht jeton në qira në një vilë në Lundër, që është në pronësi të Ilir Shtufit, i njëjti biznesmen që de jure ka pronësinë e kompanisë Nova Construction. SPAK duhet të hetojë nëse kjo është vërtet rastësi, apo Shkëlzen Berisha është njëkohësisht pronar jo vetëm i vilës në Lundër, por edhe i kompanisë ndërtuese të kullës.
Në rastin e Ahmetajt, SPAK zbërtheu komunikimet telefonike të njerëzve të afërt të tij, gjeti fatura pagesash dritash e uji si prova që faktonin pronësinë reale të tij dhe ish-bashkëshortes së tij të vilës në Palasë.
SPAK duhet të ndjekë të njëjtin precedent edhe në rastin e Shkëlzen Berishës. Duhet të hetojë dhe zbërthejë të gjitha komunikimet e Ilir Shtufit me Shkëlzen Berishën, nëse ka të tilla dhe me njerëz të afërt të djalit të ish-Kryeministrit, që nga bashkëshortja aktuale e të gjithë të tjerët.
SPAK duhet të sqarojë se pse qiraja e vilës në Lundër deri në 2016 deklarohej në formularin e vetëdeklarimit të Sali Berishë në ILDKPKI dhe pas këtij viti u hoq? Duhet të sqarojë sa është qiraja që paguan, a është ajo reale në përputhje me vlerën e tregut, apo është fiktive?
SPAK duhet të gjurmojë të gjitha transaksionet e kompanive të Ilir Shtufit, brenda dhe jashtë vendit, për të dhënë një përgjigje nëse ai është vërtet pronari i tyre, apo e ka emrin thjesht si mbulim për pastrimin e parave të një korrupsioni shumëvjeçar?
Precedentët për këtë SPAK i ka vendosur, jo vetëm me rastin e Arben Ahmetajt, por edhe me atë të ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, që akuzohet dhe rrezikon burgun sepse ka fshehur jo një vilë, as një kompani të tërë ndërtimi, por një apartament me vlerë modeste në Durrës.
Duke u nisur nga këta dy precedentë, SPAK duhet të hetojë dhe provojë se kush jeton në vilën në Lundër dhe kush janë pronarët realë të saj. SPAK duhet të provojë nëse djali i Sali Berishës fle në një vilë që është në emër të pronarit formal të kullës, por që është e tij, si shumë biznese të Shtufit, Shtufi ja kë lënë vilën me qira, apo ja ka falur fare.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.