Sterilizimi, standardi hetimor i vendosur nga prokurori Edvin Kondili që duhet ndjekur nga SPAK

18 Gusht 2023, 20:56Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Prokurori i SPAK, Edvin Kondili

Shënim: Parimi i prezumimit të pafajësisë është një prej parimeve thelbësore në një proces hetimor dhe gjyqësor, me qëllim mosparagjykimin e të personave të marrë nën akuzë, që në të gjitha rastet deri në një vendim të formës së prerë të gjykatave duhet të mbrohen nga linçimi mediatik e publik.

Ky parim është sanksionuar në Kushtetutën e Shqipërisë, në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe nga vendimet e Gjykatës së Strasburgut respektohet deri në momentin që përplaset me parimin e transparencës.

Këtu hyn në mes zotësia dhe aftësia e prokurorëve për të gjetur një balancë, ku nga njëra anë të ofrojnë transparencë përmes njoftimeve zyrtare për çështje të ndjeshme për qytetarët dhe nga ana tjetër të shmangin linçimin publik të personave nën hetim para se gjykata të thotë fjalën e saj me vendim të formës së prerë.

Por, si zbatohen në Shqipëri nga prokurorët e SPAK këto parime? Njoftimet zyrtare të prokurorisë së posaçme nuk ndjekin të njëjtin standard. Rasti i fundit, ai i dosjes së sterilizimit që po hetohet nga prokurori Edvin Kondilli, respekton parimin e prezumimit të pafajësisë, nxjerr të akuzuarit me iniciale në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira të gjykatave europiane me synim shmangien e linçimit publik për të akuzuarit, por nga ana tjetër ofron edhe transparencë për publikun.

Ky standard nuk ndiqet nga të gjithë prokurorët e posaçëm. Një pjesë e mirë e njoftimeve, për të mos thënë pjesa më e madhe shpalos edhe emrat e personave të akuzuar, pavarësisht se krimi i tyre mund të jetë, fjala bie edhe shpërndarja e pakove me oriz për blerjen e votave.

Nxjerrja e identiteteve dhe të dhënave të tjera të plota të tyre i bën automatikisht subjekte të linçimit mediatik e publik. Në këtë rast, media dhe publiku marrin rolin e drejtësisë dhe në të shumtën e rasteve u bëjnë gjyqin publik duke i shpallur fajtorë.

E gjithë kjo, sipas një morie vendimesh të Gjykatës së Strasburgut dhe Artikullit 278 të Konventës së të Drejtave të Njeriut është një shkelje e hapur. Në këtë drejtim, prokurori Edvin Kondolli po vendos një standard që duhet ta ndjekin sa më shpejt të gjithë prokurorët e tjerë.

Standardi në ruajtjen e anonimatit të të akuzuarve para se ata të shpallen fajtorë është njëra anë në dosjen e sterilizimit. Ana tjetër është hetimi profesional i saj, vetëpërmbajtja e prokurorit Kondilli për të mos kërkuar fajtorë aty ku nuk ka, as për të ofruar koka turku.

Dosja mund të konsiderohet ndër më delikatet në duart e SPAK, sepse bëhet fjalë për sektor jetik, atë të shëndetësisë dhe sepse të përfshirë janë intelektualë, që me një vendim të gabuar SPAK mund t’i shndërrojë nga njerëz me kontribute në shënjestër të linçimit publik, pavarësisht se në fund të procesit gjykata mund t’i vlerësojë të pafajshëm.

Veç kësaj, hetimi ka marrë parasysh jo vetëm kostot e koncesionit, por edhe përfitimet duke vënë në peshore nga njëra anë nevojën për të luftuar korrupsionin, që është një prej dy misioneve kryesore të SPAK dhe nga ana tjetër dhe nga ana tjetër domosdoshmërinë e këtij procesi në shëndetësi.

Ky është standardi që ka vendosur prokurori Edvin Kondilli, që shkon ndesh me standardet e ndjekura nga prokurorë të tjerë, ku njerëz janë marrë e plasur në qeli natën, pa u marrë në pyetje, mbahen me akuza tjetër për tjetër, shpiken terma juridikë që nuk gjenden në legjislacion e të tjera veprime e vendime që shkelin rëndë të drejtat e njeriut.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Video