Ahmetaj sërish në SPAK/ Kallëzimi i ri, nga vila te abuzimi me fondet e rindërtimit

22 Shkurt 2023, 12:44Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Arben Ahmetaj

Një tjetër padi është dorëzuar në SPAK ndaj ish-ministrit të Financave, Arben Ahmetaj. Padia bazohet në provat e publikuara nga Inside Story, mes të cilave vila 1 milionë euro në Hamallaj, por edhe dosje të bujshme të mëhershme ku është përfolur Arben Ahmetaj.

Padia është dorëzuar nga gazetari Adriatik Doçi. Në të kërkohet ndjekja penale e Arben Ahmetajt për korrupsion, pastrim të produkteve të veprës penale dhe fshehje pasurie. Veç Ahmetajt, të kallëzuar janë edhe Eriola Hoxhaj, partnerja aktuale e ish-ministrit dhe ish-bashkëshortes së tij, Albina Mançka, që të dyja nën akuzën e pastrimit të produkteve të veprës penale.

Provat e renditura në kallëzim nisin që me inceneratorin e Elbasanit dhe firmën e hedhur nga Arben Ahmetaj si ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes më 14 nëntor të 2014-s, ku shprehet dakord për koncesionin. Shkresa me numër protokolli 7975 fraksion 1 rrëzon alibinë e ish-ministrit se nuk ka hedhur asnjë firmë për këtë koncesion.

Gjithashtu, përmenden edhe provat që implikojnë ministrin Arben Ahmetaj dhe familjarë të tij që kanë përfituar pagesa nga Klodian Zoto në mënyrë të përsëritur nga viti 2013-të deri në vitin 2021.

Kalëzimi përmend më tej vilën në gjirin e Lalëzit, porositur nga Klodian Zoto, por që në mars të vitit të kaluar ka përfunduar në pronësi të Eriola Hoxhajt, partnerja aktuale e Arben Ahmetajt. Sipas kallëzimit, Hoxha nuk justifikon me të ardhura e siguruara ndër vite blerjen e kësaj vile, ndaj dyshohet se transaksioni nga Zoto të Eriola Hoxha është fiktiv dhe se përfituesi i vërtetë i vilës është Arben Ahmetaj.

SPAK-ut i janë dorëzuar edhe provat në lidhje me kompaninë Hermes dhe mashtrimin prej 22 milionë dollarësh me impulse e Albtelekom në fillim të viteve 2000. Kompania e Ahmetajt nënshkruan një kontratë për blerje impulsesh me çmim 0.5 lek për impuls, ose 8 herë më të ulët nga sa ishte vendosur nga Këshilli Mbikëqyrës i Albtelekom. Edhe në këtë rast është zhvilluar një proces gjyqësor, që u mbyll në 2016-n me pushim të çështjes.

Kallëzimi përfshin edhe akuzat që lidhen nga 2008 deri në 2013 për fshehje pasurie dhe mosdeklarim të ardhurash, për lobim për t’ja dhënë hidrocentralin e Skavicës dy kompanive turke, e deri te abuzimi me fondet e rindërtimit./TopNews

Dokumenta bashkëngjitur


Video