Braho dhe Nakuçi dorëhiqen tek hetimet për Ahmetajn, vërtetohen akuzat për fshehje provash

13 Shkurt 2023, 18:22Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Braho, Nakuçi, Dumani dhe Ahmetaj

Devijimi i hetimeve nga dy prokurorët e SPAK, Klodian Braho dhe Ened Nakuçi, për ish Ministrin e Financave Arben Ahmetaj, tashmë është një fakt i provuar.

Në shkresën me numër protokolli 1870 datë 9 shkurt, që SPAK ka dorëzuar në Top Channel për këqyrjen dhe marrjen e provave të publikuar në emisionin Inside Story me titull ‘Korrupsioni i Arben Ahmetajt’, lihet dyshimi i fortë për devijim hetimesh.

Veprimet, siç thuhet aty kryhen në kuadër të hetimeve për dosjen me numër 277 fraksion 1 të hapur vitin e kaluar.

Dosja me këtë numër është hetuar nga dy prokurorët Klodian Braho dhe Eneid Nakuçi. Por, shkresa zyrtare që është dorëzuar në Top Channel mban firmën e kreut të SPAK, Altin Dumani dhe prokurores së posaçme, Enkeleda Millonai.

Kjo tregon Klodian Braho dhe Eneid Nakuçi janë tërhequr nga dosja 277 fraksion 1, pas akuzave dhe kallëzimit të bërë ndaj tyre për fshehje të provave që implikojnë ish-ministrin në këtë çështje.

Por gjithashtu, kjo tregon se dy prokurorët Nakuçi dhe Braho, kanë fshehur provat pasi kanë ngritur një akuzë “shpërdorim detyre” për Ahmetajn dhe jo korrupsion. Ndryshe ata kanë vepruar në hetime ndaj personave të tjerë të përfshirë në këtë aferë.

Dy prokurorët janë akuzuar për hetim me standard të dyfishtë të dosjes, ku provat që implikojnë Arben Ahmetajn janë lënë jashtë me qëllim, edhe pse ato kanë qenë në të njëjtat pajisje elektronike të sekuestruara të Klodian Zotos.

Vetë shkresa e Altin Dumanit në Top Channel, vërteton se dy prokurorët kanë ngritur akuzën e “shpërdorimit të detyrës” për Ahmetajn dhe kanë fshehur emailet e Zotos që do ti sillnin një tjetër akuzë ish Ministrit, atë të korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Mosprania e firmave të Brahos dhe Nakuçit në këtë shkresë tregon se ata kanë hequr dorë, duke pasur parasysh faktin që ligji dhe rregullorja e funksionimit të SPAK përcakton se as drejtuesi i kësaj prokurorie nuk e ka fuqinë dhe kompetencën t’ua heqë dosjen nga hetimi.

SPAK u vu në lëvizje vetëm pas emisionit Inside Story, edhe pse provat ishin prej muajsh në kallëzimin e Adriatik Doçit, ku pagesat e hoteleve ndaj Ahmetajt ishin evidentuar në akt ekspertimin e kompjuterit te Klodian Zotos.

Mes provave që dy prokurorët kanë fshehur janë pagesat e hoteleve që Klodian Zoto ka bërë për llogari të Arben Ahmetajt.

Dy prokurorët, Altin Dumani dhe Enkeleida Millonai, që kanë marrë në dorë dosjen, në bazë të provave të reja dhe interpretimit të tyre mund ta rikualifikojnë duke e rënduar akuzën ndaj Arben Ahmetajt. Por me pikëpyetje mbetet hetimi për fshehje provash ndaj Braho dhe Nakuçit./Top News

Video