
Kompanitë që kanë fituar koncesionet e ndërtimit të segmenteve rrugore nga Miloti deri në Fier përllogarisin se kostoja për një kilometër do të variojë nga 3 deri në 17 milionë euro.
Shifra del nga përllogaritjet që ka bërë Open Data të ofertave fituese të dy koncesioneve që janë dhënë deri më tani, atij Thumanë-Kashar, të fituar nga Gener 2 dhe Lekaj-Fier të fituar nga një bashkim i tetë kompanive shqiptare.
Gjatësia totale e projektit është 106 kilometra. Nga këto 66 kilometra janë dy koncesionet e dhëna, Thumanë-Kashar me gjatësi prej 20 kilometrash dhe Lekaj-Fier me gjatësi 46 kilometra.
Dy lotet e tjera të Milot-Thumanë dhe të Kashar-Lekaj janë ende pa fitues. Kashar-Lekaj, me gjatësi rreth 27 kilometra, sipas vlerësimit të Ministrisë së Infrastrukturës do të kushtojë rreth 475 milionë euro, ose 17.6 milionë euro për kilometër.
Mesatarisht, kur të përfundojë i gjithë segmenti Milot-Fier, kostoja për një kilometër rrugë do të jetë 10 milionë euro, shifër e fryrë nëse kihet parasysh se nga 75 për qind e aksit kalon në gjurmë të rrugëve ekzistuese.
Kostost që do të paguajnë qytetarët u shtohen edhe tarifat që do të vilen nga koncesionarët përmes vendosjes së traut të kalimit në këto rrugë. Deri më tani, e sigurt është që trarët do të vendosen në Lekaj-Fier dhe Thumanë-Kashar, ndërsa në dy lotet e mbetura duhet pritur forma që do të zgjedhë qeveria për ndërtimin e tyre, nëse do të jepet me koncesion, ku privati të financojë, mirëmbajë dhe më pas vjelë të ardhurat për X vite kohore përmes pagesës për kalim, apo ndonjë formë tjetër.
Në të gjitha rastet, këtyre kostove u shtohen edhe ato të shpronësimeve, që paguhen nga buxheti i shtetit. Në Bërxullë, ky proces ka nisur, por kundërshtohet nga banorët, që akuzojnë Gener 2 për devijim të projektit.
Megjithatë, për ta thjeshtuar edhe më shumë se përse dy koncesionet e dhëna deri më tani rëndojnë xhepat e qytetarëve dhe shndërrohen në miniera floriri për oligarkët, mjafton të përmendet fakti që kompanitë parashikojnë që të arkëtojnë të paktën 2.6 miliardë euro në total në fund të këtyre koncesioneve.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.