Shpronësimet qesharake të Bërxullës, banorët: Balluku në krah të Gener 2

22 Janar 2023, 19:49Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Imagjinoni të keni 400 metra katrorë tokë, ku ju vjen një ofertë për t’ua blerë me 125 euro metri katrorë dhe ju e refuzoni, jo nga grykësia për të fituar më shumë, por më shumë nga ideja për të pasur e trashëguar pronën që ua lanë trashëgim?

Kjo i ka ndodhur B.E., banor i Bërxullës, që thotë për Voxnews.al se pak më shumë se një vit më parë i trokitën në derë për t’i blerë tokën që ka para vilës që ka ndërtuar në tokën e të parëve të tij.

‘E refuzova, sepse s’e mendoja kurrë që do të vinte kjo ditë’, thotë ai.

Ai rrëfen se prej 6 muajsh merr vazhdimisht fletushka për lirimin e pronës, firmosjen e kompensimit të saj e të tjera letra zyrtare që ja dërgon herë Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga Belinda Balluku dhe herë kompania Gener 2, që ka fituar koncesionin e rrugës Thumanë-Kashar.

Por, çmimi është larg ofertës prej 125 euro metri katrorë që kishte marrë dikur.

‘Sot po më shpronësojnë me 25 euro për metër. Vija nuk ka shtëpinë, por nëse rruga kalon këtu ku thonë ata, atëherë kjo shtëpi bëhet e pabanueshme’, shton ai.

B.E., punon në administratën shtetërore. Ai, ashtu si banorët e tjerë të Bërxullës, thotë se nuk është kundër ndërtimit të rrugës, por është kundër grabitjes së pronës që po i bëhet.

‘Rruga le të bëhet, po kompania po përfiton në kurrizin tonë dhe për më tepër qeveria, ministrja Balluku është në krah të kompanisë’, thotë ai.

Banorët e Bërxullës protestojnë prej më shumë se tre muajsh kundër projektit. Ata akuzojnë Gener 2 se ka devijuar nga projekti fillestar, duke hyrë me 300 metra mes përmes fshatit.

Protestuesit kanë përshkallëzuar kundërshtimin e tyre, ku disa ditë më parë, dy prej banorëve që preken nga shpronësimet janë ngjitur në një shtyllë elektrike të tensionit të lartë dhe kanë kërcënuar me vetëflijim. Ata kanë kërkuar takim me ministren Balluku, për t’i shpjeguar shqetësimet që kanë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 


Video