Dy projekte të ndryshme, të dy të dhëna në kuadër të investitorit strategjik, duke përfituar mijëra metra katrorë truall publik me vlerën simbolike të 1 euroshit. Të dy projektet janë të maskuar pas ndërtimit të porteve turistike elitare të jahteve dhe në një distancë 117 kilometra distancë nga njëri-tjetrit.
Në të dyja rastet, puna për ndërtimin e portit është parashikuar për në fund. Por, kjo s’i ka penguar zhvilluesit që të fillojnë shitjet e apartamenteve, edhe pse as puna për apartamentet nuk ka nisur.
Pas portit të Durrësit, edhe Porti turistik i Vlorës ka nisur shitjet e apartamenteve në ajër. Përmes një njoftimi në faqen e hapur posaçërisht për këtë qëllim, ndjekësve u thuhet se kanë nisur rezervimet për apartamentet në rezidencat që do të ndërtohen në truallin e portit aktual tregtar të qytetit të Vlorës.
Në të njëjtin njoftim premtohet se investimi me një apartament, apo një njësi biznesi në këtë zonë është ‘mundësi investimi që të vjen një herë në jetë’, ndërsa për çmimet numri i kontaktit dhe adresa e e-mailit që janë vënë në dispozicion kërkojnë që të bësh aplikimin dhe më pas merr ofertën, ose përmes një telefonate, ose përmes postës elektronike.
E thënë më thjeshtë, edhe te Vlora Marina po ndiqet e njëjta skemë si te Porti i Durrësit. Ndërtuesit po u shesin ajrin klientëve të tyre. Kontratë-porosia për rastin e Vlorës nuk është bërë ende publike, por në rastin e projektit të Durrësit juristët thonë se ajo nuk ofron asnjë garanci për blerësit, ndërsa kompania thotë se ka shitur të gjitha apartamentet 1+1 me vlerë 110 mijë euro njëri.
Në formë kontratat për të dy portet janë të njëjta. Në përmbajtje, projekti i Vlorës parashikon një investim 100 herë më të vogël se ai në Durrës. Sipas koncesionit të dhënë, Porti i Vlorës do të kushtojë 22 milionë euro nga 2.1 miliard euro që është parashikuar ai i Durrësit, ndërsa kompania zhvilluese pas tij do të ndërtojë mbi 160 mijë metër/katrorë apartamente, hotele, njësi shërbimesh e parkingje.
Projekti për Portin e Vlorës prezantohet me tre përbërës kryesorë; zhvillimi i marinës, që do të shërbejë si vendparkim për jahtet, zhvillimi i hapësirave publike përreth, duke përfshirë edhe parkun dhe lidhjen me lungomaren dhe zhvillimi i zonës komerciale dhe rezidenciale në afërsi të marinës.
Për zhvillimin e marinës projekti parashikon që punimet të përmbyllen brenda tre viteve. Në kapitullin e posaçëm për këtë në projekt thuhet: “Ndërtimi i marinës do të jetë një risi dhe një vlerë e shtuar për zhvillimin e turizmit në qytetin e Vlorës. Në të do të mund të parkohen varka, skafe dhe jahte të të gjitha llojeve. Ndërtimi pranë qytetit e bën interesante dhe tërheqëse për turistët vendas dhe të huaj. Është parashikuar që të realizohet në një afat prej tre vitesh”.
Projekti parashikon ndërtimin e 663 apartamenteve rezidenciale që do të kenë një sipërfaqe totale prej 53 mijë metrash katrorë me kosto ndërtimi 340 euro për metër katrorë dhe çmim në shitje të parashikuar 750 euro.
14 mijë e 500 metër/katrorë do të jetë sipërfaqja e ambienteve të shërbimit, pra lokale, bare e restorante. Edhe këto llogariten me kosto ndërtimi 350 euro për metër/katrorë, por me çmim shitje 1250 euro për metër katror.
Në total, kostoja e ndërtimit për apartamentet vlerësohet në projekt rreth 18 milionë euro, ndërsa të ardhurat në shitje rreth 38.5 milionë euro. Pra, një fitim mbi 20 milionë euro vetëm për këto njësi.
Për zonat e shërbimit, baret, lokalet e restorantet, kostoja totale e ndërtimit në projekt vlerësohet rreth 5 milionë euro, ndërsa të ardhurat nga shitja e tyre vlerësohen të paktën 17.5 milionë euro, pra mbi 12 milionë euro fitim.
Në fund janë 15 mijë metër/katrorë parkingje me kosto ndërtimi 150 euro për metër katrorë. Projekti parashikon ndërtimin e 500 vendeve të parkimit, ku një i tillë do të shitet 5 mijë euro. Për parkingjet, kostoja e ndërtimit është 2.25 milionë euro dhe të ardhurat nga shitja e tyre 2.5 milionë euro, pra 275 mijë euro fitim.
Në total, në vitin 2027, sipas projektit kompania do të ketë shpenzuar 25.5 milionë euro për ndërtimin e apartamenteve, njësive të shërbimit dhe parkingjeve, ndërsa do të ketë arkëtuar 58.6 milionë euro, 33.1 milionë euro fitim.
Këto janë fitimet vetëm nga shitja e apartamenteve, parkingjeve dhe njësive të shërbimit. Fitimet mbulojnë kostot e ndërtimit të dy hoteleve, njëri me 5 yje që do të ngrihet buzë detit dhe tjetri në skajin perëndimor të projektit. Kosto totale e dy hoteleve është përllogaritur rreth 31 milionë euro.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.