Skandali/ Kastrati tejkalon fitimet te Rruga e Kombit, Balluku i jep dhe 7 mln euro të tjera për traun

30 Nëntor 2022, 19:17Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
 
Belinda Balluku dhe Shefqet Kastrati

Shefqet Kastrati dhe Pëllumb Salillari kanë arkëtuar rreth 3 milionë euro më shumë nga planifikimi përmes traut të vendosur në Rrugën e Kombit.

Sipas bilanceve të dorëzuara nga koncesioni i mirëmbajtjes së kësaj rruge për vitin 2021 janë realizuar 14.8 milionë euro të ardhura vetëm nga tarifa që kanë paguar qytetarët që kanë përdorur këtë rrugë, shtetas të Shqipërisë dhe të Kosovës. Planifikimi për të njëjtin vit ishte rreth 12 milionë euro të ardhura nga kjo taksë.

Megjithatë, si të mos mjaftonte kjo, koncesioni ka përfituar pagesa direkte nga Ministria e Infrastrukturës gati 7 milionë euro të tjera.

Pagesat burojnë nga kontratat e miratuar që në vitin 2016-të. Parashikimet e kontratës blindojnë fitimet për Kastratin dhe Salillarin dhe rrisin progresivisht nga viti i parë i operimit të koncesionit deri në vitin e tridhjetë pagesat e drejtpërdrejta në rast të mungesës së trafikut në këtë rrugë.

Si shembull, vitin e parë kontrata parashikon 8 mln euro të ardhura për koncesionin nga tarifat e mbledhura. Nëse në fund të vitit shifra është poshtë kësaj shume, diferenca paguhet nga buxheti i shtetit.

Çdo arkëtim mbi 9.5 mln euro nga ana tjetër ndahet mes kompanisë koncesionare dhe buxhetit të shtetit në mënyrë të barabartë.

Pagesa ekstra prej gati 7 milionë eurosh për vitin e kaluar lidhet me një vendim të qeverisë të 2018-s, që kompenson me gati 50 milionë euro uljen e tarifave të kalimit për banorët e zonës së Kukësit, pas protestës së këtyre të fundit.

Vendimi në fjalë nuk jep asnjë argument apo informacion se mbi çfarë të dhënash dhe analize është arritur tek kjo shifër. Shifra është mbi 20 për qind të vlerës vjetore të trafikut të garantuar për koncesionarin për vitin e parë dhe në vlera të përafërta në vazhdimësi deri në 12 përqind në vitin e tridhjetë.

Shifrat e çojnë vlerën totale të këtij koncesioni në gati 350 milionë euro, ose 33 për qind e të gjithë kostos së ndërtimit të rrugës.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Video