Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpallur fituesin e koncesionit të ndërtimit të rrugës Lekaj-Konjat-Fier, me një gjatësi prej 46 kilometrash dhe në një terren të favorshëm ndërtimi, ku një pjesë e aksit kalon në rrugë ekzistuese.
Rruga parashikohet që të kushtojë mbi 384 milionë euro, sipas kontratës së propozuar, por ende të panënshkruar nga palët do të jepet me koncesion 35-vjeçar. Kompania, ose kompanitë ndërtuese, pasi ta ndërtojnë atë do të vjelin tarifat për çdo automjet që do ta shfrytëzojë këtë rrugë.
Sipas propozimit të Ministrisë, tarifa do të jetë të paktën dy euro për automjet, ndërsa shteti del garant për trafikun e munguar duke filluar që nga viti 2025, deri në vitin 2042 me pagesa që variojnë nga 1 deri në 2.7 milionë euro.
‘Thela’ në këtë koncesion duket aq e madhe se kompanitë jo vetëm që nuk janë ‘grindur’ në garën e tenderit të hapur, por janë bashkuar, e për rrjedhojë tenderi ka pasur një ofertë të vetme.
Oferta e vetme është nga bashkimi i kompanive të udhëhequra nga kompania ‘Fusha’. Emra të tjerë janë ‘Albavia’, ‘Agbes Construksion’, ‘Kupa’, ‘Ante Group’, ‘Klodioda’, ‘ALTEA’ dhe ‘Geostudio & Sphaera’.
Pra, në total tetë kompani bëhen bashkë për të ndërtuar një rrugë me koncesion për 35 vite. Kjo do të thotë se edhe fitimi do të ndahet në tetë pjesë. Me një llogari të thjeshtë, kujt i leverdis që të bllokojë miliona euro për vite me radhë sa do të dojë investimi, për një fitim minimal?
Dy janë skenarët e mundshëm. I pari, kostoja për ndërtimin e këtij aksi është fryrë qëllimisht, për të zgjatur kontratën koncesionare. Këtë e provon edhe fakti që studime fizibiliteti të kompanive private dhe raporte të dorëzuara në BE për financimin e këtij aksi janë nga 170 deri në 200 mln euro maksimumi.
Së dyti, tarifa që do t’u vendoset qytetarëve mund të mos jetë dy euro. Dy euro është propozimi i Ministrisë së drejtuar nga Belinda Balluku. Por ky nivel nuk është përfundimtar. Tarifa përfundimtare do të caktohet nga bisedimet mes palëve para nënshkrimit të kontratës koncesionare dhe niveli do të mësohet kur kjo kontratë të bëhet publike…gjithmonë nëse Belinda Balluku do ta bëjë publike atë.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.