Gjenezat e një koncesioni të dyshimtë, si u copëtuan 1.44 mld euro për Milot-Fier

15 Nëntor 2022, 20:57Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rruga Milot-Fier

Në korrik të 2020, kur vendi ishte në mes të pasojave ekonomike të pandemisë dhe izolimit, Qeveria njofton PPP-në e radhës me vlerë totale gati 1.44 miliardë euro.

Gara u hap në të njëjtin muaj dhe në letra ajo ishte ndërkombëtare. Por, oferta paraqiti vetëm kompania greke, ‘Terna’. Pasi e mbajti për javë me radhë të fshehur dështimin e tenderit, minisrja Belinda Balluku del në një intervistë televizive në fund të 2020-s duke njoftuar se nuk kishte fitues.

Kompania greke ishte skualifikuar nga gara. Balluku nuk dha detaje se pse, por tha se oferta e dorëzuar nga grekët ishte një dosje voluminoze me 40 fashikuj që ishin studiuar dhe analizuar mirë nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe në përfundim ishte vendosur skualifikimi.

Të gjitha lëvizjet e mëvonshme sugjerojnë se skualifikimi i kompanisë greke nuk ka ardhur as pas një analize të mirëmenduar, por pas një afere të mirëmenduar. Ngutja për të dhënë me koncesion këtë segment, pjesë e ‘Korridorit Blu’ për të cilin mund të sigurohej financim nga Bashkimi Europian përmes procesit të Berlinit nuk u ndal.

Qeveria njoftoi rihapjen e garës këtë herë e gjithë rruga prej 115 kilometrash gjatësi ndahej në pesë seksione. Seksioni i parë, Milot-Thumanë, me gjatësi 13.5 kilometra, i dyti Thumanë-Kashar me gjatësi 20 kilometra, Kashar-Pezë Helmes prej 9 kilometrash, Pezë Helmes – Lekaj, 24 kilometra, Lekaj-Rrogozhinë prej 8 kilometrash dhe Rrogozhinë-Fier prej 38 kilometrash.

Seksionet u rishikuan në lote dhe Lekaj-Fier u dha në një lot të vetëm. Ndarja në seksioni uli kriteret që duhet të plotësonin kompanitë pjesëmarrëse në garë. Kjo aktivizoi kompanitë shqiptare dhe oferta e dyshuara klienteliste e të paracaktuara nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës.

E para që u vu në lëvizje ishte Gener 2, që mori koncesionin Thumanë-Kashar me gjatësi 20 kilometra. Kompania vlerëson se ndërtimi do të kushtojë 400 mln euro, ose 20 mln euro për kilometër, ndërsa të ardhura për 35 vite nga tarifa e kalimit do të sigurojë të paktën 1.3 miliardë euro.

Lekaj-Fier, me gjatësi 44 kilometra është loti i dytë. Këtu u bënë bashkë 8 kompani për të paraqitur një ofertë të vetme. Ato parashikojnë një investim prej 384 milionë euro dhe arkëtim prej të paktën 1.3 miliardë euro nga tarifat e kalimit në rrugë.

Të dy lotet kalojnë përgjithësisht në rrugë ekzituese, që do të thotë se kanë kosto ndërtimi më të ulët se pjesa tjetër. Sipas projektit fillestar të qeverisë, nga 115 kilometra rrugë, 63 janë në gjurmët e akseve aktuale dhe 52 të tjera rrugë e re.

Duke hequr Thumanë-Kashar dhe Lekaj-Fier, akset që mbesin janë Milot-Thumanë dhe Kashar-Lekaj. Kjo e dyta vlerësohet në studimet e bërë nga Ministria e Infrastrukturës si pjesa më e vështirë dhe me më shumë kosto e projektit.

Deri më tani, nga 1.2 mld eurot e llogaritura pa TVSH nga ministria, 784 mln euro kanë shkuar për dy lotet që janë dhënë tashmë me koncesion. Shuma që mbetet është 416 mln euro për dy segmentet e tjera. Shifra tregon se ose është fryrë kostoja e dy koncesioneve të dhëna deri më tani, ose Kashar-Lekaj, që do të kalojë në një terren të ri dhe më të vështirë do të kushtojë më pak për çdo kilometër.

Të gjitha këto kosto do të përballohen nga qytetarët në formën e pagesave të tarifave të kalimit në cdo koncesionar. Pagesat për vajtje-ardhje të automjeteve në të gjithë aksion projektohen të jenë të paktën 20 euro. Në total, për 35 vite koncesion, qytetarët do të paguajnë mbi 4 miliardë euro. 

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video