Në një kohë që vendi është zyrtarisht në gjendje të jashtëzakonshme për furnizimin me energji elektrike, Ministria e Energjisë, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit kanë shpërdorur miliona euro me tenderat vetëm nga janari deri në shtator të këtij viti.
Janë të paktën 2 miliardë lek dëme që i janë shkaktuar buxhetit të shtetit nga tenderat e dyshimtë të KESH, OST dhe vetë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, që ka nën varësi këtë sektor.
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur gjashtë tendera me probleme te KESh me një dëm total prej 1.6 miliard lekësh, ose 14 milionë euro. 60 milionë lek është dëmi i shkaktuar në një tender nga ana e Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe 130 milionë lek të tjera janë dëme e shkaktuara nga tenderat e vetë Ministrisë së Infrastrukturës.
Nëse këtyre shifrave u shtohet edhe dëmi i shkaktuar nga abuzimet në AlbPetrol, tjetër sektor në varësi të Belinda Ballukut, shifra shkon në mbi 12 miliardë lek, ose më shumë se 100 milionë euro.
Në total, dëmi që i është shkaktuar buxhetit të shtetit në 9 muajt e parë të këtij viti është 40 për qind më i lartë se i gjithë dëmi i regjistruar vitin e kaluar, ose gati 1 miliardë euro, ku 400 mln euro janë para që mungojnë në arkë.
E thënë më thjesht, dëmi i shkaktuar vetëm nga Ministria e Infrastrukturës nga 147 institucione që ka audituar në këtë 9 mujor Kontrolli i Lartë i Shtetit zë 10 për qind të totalit.
Megjithatë, shifra prej 100 milionë eurosh nuk është asgjë në krahasim me shifrat e dy koncesioneve të dhëna me 384 dhe 400 milionë euro për Lekaj-Fier dhe Thumanë-Kashar, ndërsa 7 koncesione të reja me vlerë totale prej 1 miliardë eurosh parashikohen në buxhetin e vitit të ardhshëm për PPP-të e rrugëve.
Dy koncesionet Lekaj-Fier dhe Thumanë-Kashar kalojnë në gjurmët e rrugëve aktuale. Me pak riparime dhe zgjerime, kompanitë që kanë fituar do të vendosin një tra dhe vjelin para nga qytetarët për 35 vitet e ardhshme.
Në planet e biznesit që kanë dorëzuar kompanitë në secilin koncesion fitimet minimale llogariten në 1.3 miliardë euro.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.