Është shumë e thjeshtë të vërtetosh korrupsionin e Ahmetajt dhe fshehjen e provave nga Prokurorët

11 Dhjetor 2022, 13:30Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Foto-montazh (Arben Ahmetaj dhe prokurorët Klodian Braho dhe Eneid Nakuçi)

Rrjedhja e dosjes së inceneratorit të Elbasanit të hetuar nga dy prokurorët e SPAK, Klodian Braho dhe Ened Nakuçi tregon se sa e lehtë është mbledhja e provave që të provojnë lidhjen e Arben Ahmetajt me këtë dosje.

Faktet janë sheshit, që nga llogaritë bankare dhe transfertat e Klodian Zotos, deri te emrat e hoteleve dhe datat kur Arben Ahmetaj ka qëndruar në to.

Prokurorëve do t’u mjaftonte, të paktën në dy raste që të kërkonin nga autoritetet austriake dhe ato rumune bashkëpunimin për të verifikuar provat e dosjes.

Procedura është e thjesht. Në Austri mjafton të kërkohej nëse Arben Ahmetaj ka qëndruar në suitat e hotelit Star Light dhe kush ja ka paguar. E njëjta gjë vlen edhe për rastin e JW Marriot Grand Hotel në Bukuresht të Rumanisë.

Duke kryqëzuar të dhënat e përfituara dhe përgjigjet e marra nga hotelet, pra se kush ka qëndruar me të dhënat e llogarisë dhe transfertave të Klodian Zotos, që tregojnë se kush ka paguar hetimi do të zbardhte nëse ka përfituar Arben Ahmetaj nga inceneratorët, apo jo.

E thjeshtuar edhe më shumë, veprime të tilla proceduriale për një prokuror mësohen që në vitin e parë në shkollat e drejtësisë. Kjo përforcon faktin se dy prokurorët e SPAK, që teorikisht duhet të jenë ndër më të mirët që ka vendi sot, përsa kohë janë në këto poste duhet ta dinin këtë, jo se nuk kanë ditur, por nuk kanë dashur.

Se cila është arsyeja se pse nuk kanë dashur që të përfshijnë provat që implikojnë Arben Ahmetajn në këtë dosje, po aq sa Lefter Kokën arsyet i dinë vetëm dy prokurorët. Ajo që dihet është se në rastin më të keq kemi të bëjmë me paaftësi dhe në rastin më të mirë shpërdorim flagrant të detyrës dhe besimit që i kanë dhënë qytetarët.

Ky besim është tronditur kohët e fundit dhe kuptohet lehtësisht se një arsye kryesore është përzgjedhja e prokurorëve të SPAK se kë të marrin të pandehur dhe kë jo. Kë të hetojnë dhe kë jo! Cilat dosje të zvarrisin dhe cilat të çojnë para gjykatës.

Video