Skema e njëjtë me Vlorën, a është Samir Mane edhe pas Portit të Durrësit?

9 Dhjetor 2022, 17:56Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Porti i ri i Durrësit dhe Samir Mane – Foto montazh

Skema e përdorur për marrjen e truallit publik, plani i biznesit dhe disa emra që qëndrojnë pas projektit të Portit të Durrësit sugjerojnë se edhe në këtë aferë mund të qëndrojë dora e fshehtë e Samir Manes.

E regjistruar më 26 maj të vitit të kaluar në Qendrën Kombëtare të Biznesit me numër NIPT M11726006H, kompania ‘Eagle Real Estate’, që do të ndërtojë portin turistik të Durrësit ka pësuar një sërë ndryshimesh, ende pa nisur aktivitetin.

Fillimisht administratorët, duke larguar pak muaj nga marrja e detyrës shtetasin shqiptar, Oltjan Hoxholli. Në këtë post u emërua shtetasi gjerman, Viktor Heinze, rezident në Dubai. Edhe ky i fundit u largua brenda dhe Alabbar vendos veten në këtë post.

Ndonëse për një kohë të shkurtër si administrator, Hoxholli autorizoi për të vepruar në emër të kompanisë disa emra të tjerë, mes të cilëve edhe Elda Llambin.

Hoxholli u largua në shtator të vitit të kaluar pasi u bë publik lajmi se njëkohësisht administronte edhe kompaninë Moveo Technology në pronësi të kunatit të Lulzim Bashës. Po për Moveon rezultonte e autorizuar me prokurë të posaçme për të vepruar edhe Elda Llambi.

Kjo lidhje çoi në artikujt e mediave në atë kohë se pas projektit të portit të Durrësit me kompani të regjistruara në offshore kishte përfituar pjesën e vet edhe kreu i Partisë Demokratike në atë kohë.

Hoxholli u largua, ndërsa Elda Llambi mbetet ende e autorizuar nga administratori Alabbar për të vepruar në emër të kompanisë. Emri i saj nuk është i vetmi që ngre një mjegullnajë të madhe në lidhje me emrat që qëndrojnë realisht pas projektit 2.1 miliardë eurosh.

Emri tjetër është ai i financieres Elisabeta Hajrullai. Nga një kërkim në QKB, Google dhe profilet e saj në rrjetet sociale, Hajrullai rezulton se për vite me radhë ka mbajtur portfolin e Samir Manes dhe kompanive të tij, para 2010-s te rrjeti i supermarketeve Euromax, deri në prill të 2012 si kryefinanciere e qendrës tregtare TEG, më pas te Mane TCI dhe në fund te AlbChrome.

Sipas të dhënave të përditësuara në QKB, Hajrullai është pika e kontaktit e kompanisë ‘Eagle Hills Real Estate’. Ndoshta është thjesht një lëvizje personale në karrierë e financiares si e lindur në Durrës.

Por, lëvizja në gjithë rrëmujën e informacioneve dhe mungesës së transparencës për këtë projekt ngre dyshime se në mos 100 për qind, oligarkët shqiptarë janë të përfshirë në Portin e Durrësit dhe njëri prej tyre është Samir Mane.

Një tjetër indicie që të adreson drejt Samir Manes është edhe skema dhe plani i biznesit. Plani i biznesit për portin turistik të Durrësit është i ngjashëm me atë të Portit të Vlorës. Falen mijëra metra katrorë truall publik për të ndërtuar kulla, hotele dhe rezidenca në emër të projekteve që në emër kanë fjalën port jahtesh, por që porti lihet për në fund.

Dallimi është se në Portin e Vlorës, gjurmët që ka lënë Samir Mane janë më të dukshme se në Portin e Durrësit. Si?

Përveç një porti të gatshëm për t’u operuar, që me pak “meremetime” do të ndryshojë emrin nga port tregtar në port jahtesh, për vetëm 1 euro, Samir Mane ka përfituar rreth 39 mijë metër/katrorë truall për të ngritur në qendër të Vlorës ndërtesa shumëkatëshe, përfshirë këtu një hotel me 34 kate.

Kontrata e famshme e koncesionit të Portit të Vlorës është e mbushur me favorizime për biznesmenin Mane dhe e blinduar në nenet e saj me gjykatat ndërkombëtare të arbitrazhit në raste konfliktesh.

Sipas kontratës, për 22 milionë eurot që shteti gjasmë e detyron Samir Manen të investojë në Portin e Vlorës, biznesmeni përfiton gjithashtu edhe nga mbrojtja ligjore që i jep statusi i investitorit strategjik. Çfarë do të thotë? Në çdo proces gjyqësor që mund të ngrenë palë të treta për koncesionin, Samir Mane duhet të mbrohet nga shtetit shqiptar. Kontrata i lë atij “vetëmbrojtjen” vetëm në rastet kur konflikti është me persona, apo kompani me pronat kufitare.

Favorizimet nuk mbyllen me kaq. Po me statusin e investitorit strategjik ai përfiton nga taksat e reduktuara, përparësitë në lejet zhvillimore dhe lehtësi të tjera që i njeh ligji me anë të të cilit është shpallur një investitor i tillë.

Kontrata parashikon gjithashtu që brenda një muaji nga hyrja e saj në fuqi, pra nga data 13 tetor, kur është botuar në Fletoren Zyrtare, Samir Mane mund të nisë ndërtimin e rezidencave dhe godinave shumëkatëshe, përfshirë këtu hotelin 34-katësh, që sipas projektit të propozuar do të jetë me pesë yje.

Projekti prezantohet me tre përbërës kryesorë; zhvillimi i marinës, që do të shërbejë si vendparkim për jahtet, zhvillimi i hapësirave publike përreth, duke përfshirë edhe parkun dhe lidhjen me lungomaren dhe zhvillimi i zonës komerciale dhe rezidenciale në afërsi të marinës.

Për zhvillimin e marinës projekti parashikon që punimet të përmbyllen brenda tre viteve. Në kapitullin e posaçëm për këtë në projekt thuhet: “Ndërtimi i marinës do të jetë një risi dhe një vlerë e shtuar për zhvillimin e turizmit në qytetin e Vlorës. Në të do të mund të parkohen varka, skafe dhe jahte të të gjitha llojeve. Ndërtimi pranë qytetit e bën interesante dhe tërheqëse për turistët vendas dhe të huaj. Është parashikuar që të realizohet në një afat prej tre vitesh”.

Kaq është i gjithë përshkrimi mbi zhvillimin e marinës, pra të portit. Madje, në këtë përshkrim të vret veshët fjala “ndërtimi pranë qytetit” sikur nuk ka port ekzistues, por ai po ndërtohet tani nga biznesmeni Samir Mane.

Projekti nuk flet në këtë pjesë për asnjë kosto financiare, sepse ndoshta nuk ka fare dhe biznesmeni Mane po merr të gatshëm një port për 35 vite me çmimin një euro. Kjo mund të jetë njëra arsye që në kapitullin e “Analizës financiare të projektit” kalohet direkt në analizën financiare të përbërësit të dytë të projektit, ai që ka të bëjë me koston e resortit rezidencial.

Këtu llogaritë janë të thjeshta. Samir Mane ka marrë 57 mijë e 500 metër/katrorë tokë për zhvillim. Nga kjo, rreth 39 mijë janë truall për ndërtim, që sipas projektit do të përkthehet në 165 mijë metër/katrorë sipërfaqe ndërtimore, ose e thënë më thjesht 165 mijë metër/katrorë apartamente, parking, e hotele.

Projekti parashikon ndërtimin e 663 apartamenteve rezidenciale nga biznesmeni Samir Mane që do të kenë një sipërfaqe totale prej 53 mijë metrash katrorë me kosto ndërtimi 340 euro për metër katrorë dhe çmim në shitje të parashikuar 750 euro.

14 mijë e 500 metër/katrorë do të jetë sipërfaqja e ambienteve të shërbimit, pra lokale, bare e restorante. Edhe këto llogariten me kosto ndërtimi 350 euro për metër/katrorë, por me çmim shitje 1250 euro për metër katror.

Në total, kostoja e ndërtimit për apartamentet vlerësohet në projekt rreth 18 milionë euro, ndërsa të ardhurat në shitje rreth 38.5 milionë euro. Pra, një fitim mbi 20 milionë euro vetëm për këto njësi.

Për zonat e shërbimit, baret, lokalet e restorantet, kostoja totale e ndërtimit në projekt vlerësohet rreth 5 milionë euro, ndërsa të ardhurat nga shitja e tyre vlerësohen të paktën 17.5 milionë euro, pra mbi 12 milionë euro fitim.

Në fund janë 15 mijë metër/katrorë parkingje me kosto ndërtimi 150 euro për metër katrorë. Projekti parashikon ndërtimin e 500 vendeve të parkimit, ku një i tillë do të shitet 5 mijë euro. Për parkingjet, kostoja e ndërtimit është 2.25 milionë euro dhe të ardhurat nga shitja e tyre 2.5 milionë euro, pra 275 mijë euro fitim.

Në total, në vitin 2027, sipas projektit të Samir Manes, ai do të ketë shpenzuar 25.5 milionë euro për ndërtimin e apartamenteve, njësive të shërbimit dhe parkingjeve, ndërsa do të ketë arkëtuar 58.6 milionë euro, 33.1 milionë euro fitim.

Këto janë fitimet vetëm nga shitja e apartamenteve, parkingjeve dhe njësive të shërbimit. Fitimet mbulojnë kostot e ndërtimit të dy hoteleve, njëri me 5 yje që do të ngrihet buzë detit dhe tjetri në skajin perëndimor të projektit. Kosto totale e dy hoteleve është përllogaritur rreth 31 milionë euro.

Hotelet do t’i mbesin në pronësi Samir Manes, që parashikon që të shfrytëzojë me 45 për qind kapacitetet e tij përgjatë të gjithë vitit me një çmim prej 80 euro për dhomë në natë. Hoteli i parë, me 5 yje do të ketë 125 dhoma. Hoteli i dytë do të jetë në skajin perëndimor të projektit, pra më në thellësi. Ai është parashikuar me 4 yje dhe me 43 dhoma.

Si për të vulosur talljen dhe fshehur grabitjen e pronës publike, në projekt Samir Mane na thotë se po na kursen nga ngritja e godinave shumëkatëshe në vijën e parë, “pavarësisht presionit të lartë për pasuri të patundshme në këtë pjesë kryesore të projektit”. Ai thotë se “nuk ngriti ndërtesa të larta në vijën e parë, për të mos i bërë hije Lungomares dhe për të mos ndikuar negativisht në tërësinë e përvojës bregdetare”.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

Video