Materialet në kompjuterat e Zotos/ Prova për evazion fiskal, por asnjë fakt për korrupsion

7 Dhjetor 2022, 14:15Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

SPAK ka sekuestruar të dhëna nga tre kompjuterat dhe telefoni i sekuestruar i Klodian Zotos për dosjen e hetimit të inceneratorit të Elbasanit. Nga materialet e siguruara nga këto pajisje, janë gjetur prova kompromentuese për zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Energjitikës, por nuk ka asnjë të dhënë që të provojë akuzën e korrupsionit ndaj ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka.

Materialet e siguruara nga SPAK konfirmojnë se e gjithë skema ka të bëjë më evazionin fiskal dhe jo me korrupsion të funksionarëve shtetërore, siç pretendon opozita.

Pse? Mes materialeve të gjetura në pajisjet e Klodian Zotos janë edhe llogaritë dhe transfertat e parave të shoqërisë Albtek. Të dhënat tregojnë se paratë që u janë kaluar shoqërive të tjera janë arkëtuar sërish nga Albtek. Pra, paratë vetëm janë xhiruar nga koncesionari te nënkontraktorët e tij dhe më pas nga nënkontraktorët sërish në llogaritë e koncesionarit dhe jo te Lefter Koka.

Si shembull, mes dokumenteve të siguruara nga SPAK më 30 maj 2016 rezulton se kompania Bellart Inert ka kryer një kthim pagese prej gati 2.5 mln lekësh që kishte marrë më herët nga kompania Albtek.

Materialet e siguruar nga Top News sugjerojnë se skema është përdorur për të shmangur taksat dhe jo për të devijuar fondet jashtë objektit të tyre, që ishte ndërtimi i inceneratorit.

Në këtë përfundim ka arritur edhe eksperti ekonomik i SPAK, Ismail Lleshi. Ekspertiza e tij arrin në përfundimin se paratë e xhiruara ndërmjet llogarive janë shpenzuar si investim te inceneratori, duke mos provuar dot akuzat për abuzim dhe devijim të parave publike. Investimi në objekt, nga vlerësimi i përfunduar i ekspertëve ka rezultuar 22 mijë euro më shumë nga sa shteti ka paguar.

Ndërkohë, nënkontraktorët e Albtek që janë përfshirë në skemën e evazionit fiskal janë dënur më parë nga Gjykata e Tiranës dhe ajo e Durrësit. Nga dosjet hetimore të gjykatave, këto kompani rezultojnë të përfshira në skema evazioni fiskal jo vetëm me inceneratorin e Elbasanit, por edhe me kompani të tjera.  

Video