Në kohën kur shqiptarët shtrëngonin buxhetet familjare e humbnin vendet e punës nga mbyllja prej pandemisë së Covid, ku qarkullimi u bllokua e kufizua për muaj me radhë si për këmbësorë, ashtu edhe për automjete, në xhepat e Shefqet Kastratit derdheshin miliona euro nga buxheti i shtetit si pagesa për trafikun e munguar në Rrugën e Kombit.
Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Thesarit tregojnë se në 2020, vitin e pandemisë Kastrati ka përfituar si pagesa të drejpërdrejta nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, drejtuar nga Belinda Balluku më shumë se 6 milionë euro.
Paratë janë dhënë në dy këste. Në të parin, regjistruar në datën 28 shkurt, pa nisur ende izolimi kalohen 367 milione lek, ose rreth 3.1 milionë euro. Fatura është ekzekutuar, pra paratë janë depozituar nga buxheti te llogaritë e Kastratit më datë 2 mars.
Fatura e dytë me vlerë rreth 372 milionë lek, ose 3.2 milionë euro është urdhëruar më datë 10 korrik dhe është paguar tre ditë më vonë, pra më datën 15 korrik.
Në total, shifra shkon në 6.3 milionë euro, ose 739 milionë lek. Në përshkrimin e faturave thuhet se pagesat janë subvencione në bazë të një vendimi të Qeverisë të vitit 2016-të, kur është miratuar kontrata e dhënies me koncesion të Rrugës së Kombit dhe vendosja e traut mbi të dhe parashikimeve të kësaj kontrate.
Ajo që bie në sy janë dy elementë. E para, devijimi i parave të taksapaguesve shqiptarë në xhepat e Shefqet Kastratit në një kohë që vendi ishte në gjendje të jashtëzakonshme dhe e dyta shpejtësia me të cilën janë ekzekutuar këto pagesa.
Për të parën, Shefqet Kastrati ka arkëtuar paratë në një kohë që ndihma direkte e Qeverisë për qytetarët dhe bizneset që u mbyllën gjatë pandemisë ishte më e ulëta në rajon.
Për të dytën, në rastin e faturës së parë, ekzekutimi i pagesës është bërë katër ditë pas datës së regjistrimit të saj, ndërsa për faturën e dytë është bërë brenda tre ditëve. Kjo tregon se sa efikase janë strukturat e shërbimet shtetërore kur bëhet fjalë për t’u shërbyer oligarkëve, ndërsa në rastet e konflikteve të pensionit, apo shpërblimit të ish-pronarëve që kanë edhe vendime të Strasburgut me vete, pagesat zvarriten për muaj e vite me radhë.
Pjesë e këtij koncesioni është edhe kompania “Salillari” sh.p.k. e biznesmenit Pëllumb Salillari.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
