Ambasada amerikane në Tiranë ka reaguar sot në lidhje me përplasjet në grupin e Partisë Demokratike.
Ambasada deklaroi se institucionet demokratike funksionale janë jetike për çdo demokraci të shëndetshme.
Ambasada theksoi se nuk e ka ndryshuar pozicionin në lidhje me individë të shpallur (non-grata) në Shqipëri.
“Shtetet e Bashkuara besojnë se institucionet demokratike funksionale, përfshi një opozitë, janë jetike për çdo demokraci të shëndetshme. Shtetet e Bashkuara takohen rregullisht me komisionet parlamentare në lidhje me legjislacion kyç, të tillë si ai për Avokatin e Popullit, i cili luan një rol të rëndësishëm në reformën në drejtësi. Nuk është roli i ambasadës që të zgjedhë se kush udhëheq partitë politike në Shqipëri. Gjithashtu, nuk e kemi ndryshuar pozicionin tonë në lidhje me individë të shpallur (non-grata) në Shqipëri dhe nxisim të gjithë aktorët që të shqyrtojnë me kujdes angazhimet e tyre me figura të tilla”, deklaroi ambasada.
Gazment Bardhi, i ftuar në emisionin “Opinion” deklaroi se e mbështet plotësisht këtë deklaratë dhe qëndrimin e ambasadës amerikane për individët e shpallur “non grata”.
Këtu theksoi se nuk është bashkuar me Sali Berishën, pavarësisht se brenda grupit të PD ka një unifikim. Bardhi nënvizoi se mes SHBA-së dhe Berishës zgjedh të jetë me SHBA-në. Ndërsa mes Edi Ramës dhe Sali Berishës zgjedh të jetë me këtë të fundit për sa kohë ka besimin e një pjese të opozitës.
“Unë nuk jam bashkuar (me Berishën). E mbështes 100% deklaratën e SHBA. Kam qenë në studio me ju ditën e parë kur është bërë takimi dhe të kam pohuar ekzaktësisht atë që thotë deklarata. Nuk ka asnjë ndryshim të SHBA sa i përket “non gratave” dhe kjo është një çështje që mua më ndan me zotin Berisha. Mes SHBA-së dhe zotit Berisha unë zgjedh SHBA. Mes zotit Berisha dhe Edi Ramës unë zgjedh Sali Berishën sa kohë është opozitar dhe ka besimin e një pjese të popullit opozitar”, tha Bardhi.