PROFIL / Qet Transparenti ua mbledh privatëve dhe vendos rregull tek çmimet e naftës

2022-03-26 15:17:13Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
PROFIL / Qet Transparenti ua mbledh privatëve dhe vendos rregull tek

TIRANË - I njohur qysh në fëmijëri për urrejtjen e tij ndaj spekulantëve, allishverishaxhinjve dhe abuzuesve me djersën e popullit, zyrtari i njohur i shtetit Qet Transprenti, që siç dihet është dhe kryetari i Bordit të Transparencës për çmimet e karburanteve në këtë kohë krize, e ka ashpërsuar dorën këto ditët e fundit.

“Koha e xhepistëve të paskrupullt që fusin duart në shepat e njerëzve të thjeshtë, ka perënduar njëherë e mirë,” deklaroi Qeti dje në një konferencë për shtyp, “dhe këtë mesazh ua drejtoj sidomos tregtarëve të karburanteve që duan të përfitojnë nga lufta në Ukrainë”. Dhe Qeti u drejtua nga kamerat:

“Po po, me ju e kam: Po si jua bën zemra more gjakpirës, po a keni din e iman mor rrufjanër? Këtej e tutje, çmimet e karburanteve do t’i vendosim vetëm ne dhe askush tjetër. O do bëjmë transparencë, ose mos më thënçin Qet Transparenti!”

***

Siç lexuesit e mbajnë mend mirë, qeveria shqiptare reagoi me zhdërvjelltësi pas protestave që u mbajtën në Tiranë dhe gjithë vendin, kundër rritjes së pakontrolluar të çmimit të karburanteve dhe mallrave të shportës me sebep agresionin rus ndaj Ukrainës. Kryeministri Edvin Pikaso mblodhi ekspertët më të mirë dhe krijoi Bordin e Transparencës për t’u bënë fre tregtarëve të panginjur. Kuptohet, e kush do ta menaxhonte më mirë në këtë kohë krize, sektorin e karburanteve sesa Qeti?

I njohur me sektorin e vajgureve, naftrave, benzinrave dhe gazrave që herët, Qeti i kërkoi vetë Pikasos që ta mbikqyrte ai këtë punë.   

“Dëgjo zoti Kryeministër,” i tha troç, “do të të mallkojnë shqiptarët në 10 breza po lejove që të vidhen në këtë mënyrë. Tregu i naftës ka nevojë për rregull. Unë vërtet ashtu e sollën ngjarjet dhe tani zotëroj 70 përqind të tregut të karburanteve, por që tani po heq dorë nga drejtimi i kompanive të mia, do ja lë vëllait. Ama këtë hajdutllëk ndaj fukarenjve nuk e toleroj dot!”

***

Dhe kështu ndodhi. Ato palo kompani nafte Qeti ia la byrazerit dhe iu fut sinqerisht menaxhimit te çmimeve. Kryeministri ishte i bindur në transparencën e Qet Transparentit, sepse ja njihte integritetin. Po njësoj me zell të madh anti-hajdutëri kishte vepruar Qeti edhe me traun e taksës te Rruga e Kombit; te Aeroporti i Rinasit; te ish hotel Sheratoni, ku disa hapësira idiote me lulishte dhe ndërtime njëkatëshe, i mbushi me shumëkatëshe si koshere bletësh, ku vlon puna dhe kënga ushton.

“Interesant, çfarë njeriu është,” kishte thënë Pikaso për Qetin, “çfarë i zë dora, e shndërron në transparencë. Ja, edhe fytyrën ma ka si letër kalk”.

***  

Burime kanë thënë për Patronazhistin se që nga ajo ditë, Qet Transparenti jo vetëm që ka vënë rregull në çmimet e karburanteve, por as nuk flet me familjen e vet. Ai as që takohet me vëllanë e zemëruar nga puna e çmimeve. Në vend të kësaj, ata shkruhen gjithë inat në whatssup, për të caktuar çmimet e nesërme. Edhe pas mesazheve të fundit, nuk janë ndarë mirë.

“Do ta vësh 245 dhe pikë. Kështu them unë, mos e diskuto,” i shkruante Qeti.

“Po pak si shtrenjtë, o byrazer. Këtë çmim e lamë ta vëmë javës tjetër,” i përgjigjej i çoroditur vëllai.

“Ore gjakpirës i fukarasë, dëgjon ti apo si e ke hallin?”, i vuri vulën Qeti.    

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike, njësoj si Bordi i Transparencës

Video