Entela Resuli
Si sot 10 vite më parë, në mbrëmjen e vonë të 20 nëntorit në një mot të lagësht me shi, raportohej për një aksident që kishte ndodhur në rrugën e vjetër, Elbasan-Tiranë.
Ajo çka e bënte këtë aksident të përcillej me titra në televizionet informative, e më pas me iniciale, emrin e personit që ndodhej brenda në makinë ishte fakti se, kishte humbur jetën një prej politikanëve të spikatur deri në atë kohë, deputet e ish-ministër, Sokol Olldashi.
Përplasja fatale dhe plagët e marra bën që Olldashi të humbte jetën në mënyrë të menjëhershme.
Ky aksident pati shumë pikëpyetje për nga mënyra se si kishte ndodhur, por edhe për nga koha politike në të cilën gjendej Partia Demokratike.
Vetë Sokol Olldashu nuk e kishte në atë kohë mbështetjen e Sali Berishës, i cili kishte dhenë dorëheqjen si kreu i PD-së dhe emri që donte të vazhdonte drejtimin e partisë ishte Lulëzim Basha (Sot pas 10 vitesh dihet se si kanë shkuar punët mes të dyve).
Humbja e jetës së Sokol Olldashit shkaktoj shumë reagime po ashtu e mbushi me mister dhe dyshim përplasjen e tij fatale për të cilën sot janë të shumtë ata që besojnë se nuk ishte një aksident me makinë...
Por përtej politikës Olldashi ishte djalë, vëlla, baba dhe bashkëshortë.
Ishte i martuar me Enkeleda Olldashi dhe kanë dy djem, Glaukun dhe Kleitin. Kohët e fundit, djali i madh Glauku ka filluar të aktivizohet me Partinë Demokratike, duke qenë pjesëmarrës në protesta të ndryshme, duke vendosur të ndjekë rrugën e të atit.
Ajo që nuk ndalon asnjëherë së kujtuar djalin e saj është e ëma, Kozeta Mamaqi. Të njëjtën gjë ka bërë edhe vëllai i tij Ardian Olldashi këtë mëngjes në rrjetin social, Facebook.
"Unë besoj se ka vetëm një formë madhështie për njeriun. Nëse një njeri mund të mbushë hendekun midis jetës dhe vdekjes. Dua të them, nëse ai mund të jetojë pasi të ketë vdekur, atëherë ndoshta ai ishte një njeri i madh. Për mua i vetmi sukses, madhështia e vetme, është pavdekësia.(James Dean)"- shkruan vëllai i të ndjerit. Komenti që tërheq më shumë vëmendje është ai i nënës së tij.
Kozeta Mamaqi shkruan: Po, zemër, vëllai yt e ka mbushur këtë hendek, për gjersa e kujtojnë kaq njerëz të mirë. Ne do ta kujtojmë sa të frymojmë, bir! Sot flisnim të dy në telefon, më shumë pa fjalë. Nuk na linte dhimbja , që të bën ngërç frymën dhe shpirtin. U bënë 10 vite …bir…!"- shpreh në këtë mënyrën dhimbje e saj teksa i shkruan të birit, nëna e Sokol Olldashit.
Sot, më 20 nëntor bëhen 10 vite pa Sokol Olldashin. Njeriu dhe politikani që e donin të gjithë, e që me ikjen e tij la pas shumë dhimbje dhe një boshllëk të madh në politikën shqiptare.
Olldashi u nda nga jeta në një aksident tragjik, teksa udhëtonte nga Elbasani drejt Tiranës mbrëmjen e 20 nëntorit 2013.
'Dhoma e Rrëfimit' rubrikë ekskluzive e VoxNews.
***
©CopyrightVoxNews
Ky artikull është ekskluziv i VoxNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VoxNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.