Nga Entela Resuli
“Burri kur arrin 80 vjeç, duhet ta quajë trimëri që u bë kaq"
Një nga aktorët më të dashur shqiptar, Reshat Arbana, ka sot ditëlindjen. Ai mbush 83 vite jetë. Kjo ditëlindje e ka gjetur më të gëzuar pasi disa muaj më parë është bërë gjysh nga djali.
Kjo ndodhi e shumëpritur në jetën e tij ia ka ëmbëlsuar ditët.
Arbana, sot 83 vjeç, është operuar dy herë nga zemra, por kjo gjë e nuk e ka trembur.
“Zemra ka aftësi të të japë një mundësi të dytë në jetë, këtë gjë e ka bërë me mua. Jam çarë dy herë në kraharor, por ndihem më mirë këto kohë”.
Mëngjeseve ai e pi kafen prapa Ministrisë së Arsimit. Aty e gjen së bashku me miqtë e tij.
Në kontaktin e parë duket i vrazhdë, por mjaftojnë pak minuta bisedë për të kuptuar që ke përballë jo vetëm një ikonë të artit shqiptar, por edhe një njeri me zemrën të bardhë e të pastër.
“Si natyrë dukem i rëndë në dukje, por nuk jam. Kam ndenjur e rri me të gjitha kategoritë e njerëzve dhe më pëlqen kështu. Unë kam qenë vetë punëtor dhe e dua punëtorin. S’e harroj një punëtor, mikun tim, që kish vënë te tornoja e vet parullën: Djersa nuk bëhet kurrë ujë, nëna ime”.
Reshati është një zotëri krenar i tërhequr në revoltën e vet. Tregon si i shkaktojnë tension padrejtësitë, gënjeshtra, mashtrimi, aq të zakonshme në Shqipërinë e sotme.
“Acarohem shumë. Por imagjinoni sa gjëra nuk shkojnë në këtë vend. Shpesh gruaja më thotë; pse more Reshat ti do e rregullosh këtë botë. Po ja që unë jam i pandreqshëm, por ajo m’i ka gjetur telat. Është e qetë, e dashur… Por di të kërkoj edhe falje kur e kuptoj që e kam gabim. E kam burrërinë ta bëj edhe këtë".
Këto kohë gjendja shëndetësore e bashkëshortes së tij nuk ka qenë e mirë dhe kjo gjë e ka rënduar aktorin Arbana.
“Burri kur arrin 80 vjeç, duhet ta quajë trimëri që u bë kaq. Nuk e di se ku do shkojë më shumë. Do shkojë në një botë tjetër, po në fund kjo s’ka rëndësi. Është një cikël që do mbyllet, gjithsesi.
Deri para dhjetë vjetësh s’më shkonte mëndja, por tani kur shikoj ndonjë varr dhe kujtoj se e kam njohur të zotin, më tretet vështrimi në sarkofagun e tij dhe mendoj sesi është transformuar. Nuk vuaj shumë për këtë. Dua ta mbyll me nder e faqe të bardhë dhe të thuhet se e la diçka ky njeri…”.
Vox News i uron Nderit të Kombit, Reshat Arbana shëndet e qetësi pranë familjes së tij të dashur.
*'Dhoma e Rrëfimit' rubrikë ekskluzive e Vox News.
***
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.