“Shqipëria i ngjan një trungu me degë të thara”, flet Profesori që zbulon bimë të reja

17 Nëntor 2023, 10:40Dhoma e rrëfimit SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Lulëzim Shuka, botanist

Entela Resuli

Megjithëse po shkon te 60-at, ai vazhdon të shpenzojë një pjesë të mirë të kohës në malet dhe fushat e Shqipërisë në eksplorimin e natyrës dhe florës jo vetëm në vendin tonë por edhe në Ballkan.

Ai ka shkelur pothuajse në çdo “skutë” të vendit tonë, në çdo mal, duke ngjitur çdo majë mbi 1000 m.

Kur e pyes nëse është i lodhur ose “ngopur” me studimin e bimëve, ai thotë se në natyrë, megjithëse nën vështirësitë e terrenit dhe riskun e aksidenteve, gjen më shumë qetësi dhe çlodhje se sa në ajrin e ndotur të kryeqytetit dhe stresit e shkaktuar nga gjendja e arsimit të lartë në Universitetin dhe fakultetin e tij.

I shqetësuar nga mungesa e njeriut në zonat rurale ai e vuan zbrazjen e tyre, duke theksuar: “Rrugët-arteriet” e vendit tonë, megjithëse shumë më të mira se vitet e mëparshme, çojnë dhe sjellin gjithmonë e më pak njerëz në kryeqytetin tonë, Shqipëria jonë po boshatiset!

Shqipëria sot i ngjan më shumë një druri ku shumë degë anësore janë jashtë funksionit, në tharje, kurse trungu ka filluar të zbrazet nga brenda, pavarësisht se nga jashtë mund të duket i shëndetshëm”.

Lulëzim Shuka, botanist dhe Profesor pranë Departamentit të Biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës tregon zbulimet e reja në bashkëpunim me kolegët por edhe jetën që shikon në ato vende ku lulëzojnë bimët por mungojnë njerëzit .

-Profesor le të flasim për një temë që ju e keni shumë për zemër. Ju jeni një njëri që e ndani kohën tuaj mes auditorit dhe natyrës. Kanë kaluar 9-vite qysh nga intervista jona e parë mbi zbulimin e Tulipanin Shqiptar, çfarë të reje shkencore keni sjellë për këtë vit?

Grupi i përbërë nga një botanist i Universiteti të Beogradit, unë dhe një botanist Anglez, pas një pune 5-vjeçare arritëm të argumentojmë shkencërisht dhe publikojmë në revistën shkencore Willdenowia, zbulimin e një gjinie të re për shkencat botanike, gjininë HayekiaLakuši?ex D. Lakuši?, Shuka &Eddie, gen. nov, gjini e cila përfshihet në familjen e Lulekambanave (Campanulaceae).

Kjo gjini është endemike shqiptare, dhe duke qenë se përfaqësohet vetëm nga një lloj, ajo konsiderohet edhe si gjini monofiletike ose gjini me një lloj të vetëm, Hayekiabalukengjashme (Hayekiacomosiformis (Hayek&Janch.) Lakuši?ex D. Lakuši?, Shuka &Eddie).

Për mua personalisht dhe vendin tonë, ky zbulim është i rëndësishëm sepse përbën të vetmen gjini endemike për Shqipërinë të njohur deri më tani, duke e vënë atë përkrah rreth 69-llojeve dhe nënllojeve bimore endemike shqiptare.

Ky publikim është i rëndësishëm gjithashtu sepse ne u përfshimë në “tregun” shkencor të diskutimeve për një çështjeje mjaft të “nxehtë” në shkencat biologjik, atë të kushteve që duhen të merren parasysh në përcaktimin e konceptit të gjinisë ose edhe llojit.

Në shkencat biologjike sot është në modë përdorimi i metodave molekulare ose i ADN-së në përcaktimin e llojeve dhe gjinive, duke mënjanuar rolin që kanë ndryshimet e jashtme ose morfologjia e bimëve dhe kafshëve ose edhe funksionet metabolike. Nëpërmjet këtij publikime ne e rihapim këtë çështje të rëndësishme duke u vendosur në mes të dy palëve të përfshira në diskutimin e kufirit ndarës të llojit ose gjinisë, midis grupimit të morfologjistëve dhe grupimit të rrymës së gjenetistëve të cilët nuk pranojnë diskutime të tjera veç ADN-së.

Në publikim, ne theksojmë rëndësinë që ka analiza molekulare, por ajo nuk mund të jetë e vetme. Në identifikimin e një lloji ose gjinie janë po aq të rëndësishme analiza edhe e disa faktorëve të tjerë si ato morfologjikë, biologjikë dhe ekologjikë dhe roli kombinues i tyre për të dhënë një gjini ose lloj unik në biologjinë e vet. Po kështu ne theksojmë rolin e rëndësishëm të interpretimit të pozicionimit të vlerave të AND-së në një kladogramë ndarëse. Ky interpretim i ri në përcaktimi e një gjinie përbën thelbin e këtij artikulli, ku publikohet edhe gjinia Hayekia.

-Përse Ju e keni emërtuar këtë gjini të re, Hayekia?

Emërtimi Hayekia i kësaj gjinie është zgjedhur nga Prof. RadomirLakuši? (Profesor i Universitetit të Sarajevës dhe Banja Luka) si nderim për Prof. Dr. AugustvonHayek (1871–1928), një botanist Austriak i Universitetit të Vjenës i cili ka punuar në fushën e studimeve fitogjeografike në Ballkan dhe Alpet jug-lindore. Prof. R. Lakuši? (1933–2005) ishte i pari që vërejti se pozicionimi i llojit Asyneumacomosiformis në gjinie Asyneuma ishte i gabuar, por që nuk arriti të argumentonte dyshimin e tij sa qe gjallë. Kështu që nipi i tij dhe autori i parë i këtij inovacioni propozoi që të nderohej botanisti austriak AugustvonHayek dhe njëkohësisht të rikujtojmë punën e Xhaxhait të vet, një botanist gjithashtu i shquar për vendet e ish-Jugosllavisë.

-Si gjithmonë, gjuha shkon tek mbështetja financiare e studimeve shkencore në vendin tonë. Si ka qenë kjo mbështetje?

Në vendin tonë deri para 10-viteve, mbështetja financiare ka qenë shumë e vogël. Në këto vite nuk është dhënë asnjë qindarkë, ose unë nuk di të jetë dhënë ndonjë qindarkë për kërkimin shkencor. Personalisht, megjithëse kam aplikuar me projekte për studime të këtij niveli, asnjëherë nuk jam mbështetur financiarisht, as para 6-viteve as në këto 6-vitet e fundit.

Më e keqja është kur thonë që nuk ka aplikime, dhe para ka plotë! Për më tepër, pasi aplikon përgjigjja të vjen pas tre ose katër vitesh që nuk ka para ose nuk jeni përzgjedhur.

Ju e shihni në fund të publikimit, autori i parë dhe i katërt falënderojnë Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik të Serbisë për mbështetjen financiare të këtij studimi. E thënë ndryshe, Serbia financon projekte studimore për studiuesit e saj edhe jashtë vendit, përfshirë edhe Shqipërinë në rastin konkret, kurse shteti ynë nuk do t’ia dijë për kërkimin shkencor.  Ç’farë paradoksi! Madje, në Universitetin ose njësinë time më shumë paguhen ata që rrinë dhe nuk bëjnë asgjë se sa ata që punojnë.

-Shumë mund të thonë: Po përse duhet të financohen këto projekte, në një kohë që këto nuk prodhojnë asgjë?

Në dukje, duket sikur financimi i kërkimit është harxhim i kotë i parave. Atëherë i bie që të themi ç’na duhet shkolla, ç’na duhen bimët apo kafshët, pse duhen ti studiojmë ato?

Në raportin e vitit të kaluar mbi biodiversitetin, KathyWillis nga Universiteti i Oksfordit i jep këtë përgjigje pse-së suaj:  “Është e rëndësishme të dimë se sa lloje bimore ekzistojnë sot, ku ato janë, të njohim marrëdhëniet midis grupeve bimore sepse ato janë thelbësore për qënien tonë. Ato na sigurojnë ushqimin, energjinë, ilaçet tona, madje ato kontrollojnë edhe klimën tonë”.

Por jo vetëm kaq, llojet endemike janë pasuri gjenetike e një vendi, janë një atraksion i shtuar për të tërhequr të huajt që të vizitojnë këtë vend. Në fund të fundit, njohja e thesareve të zbuluara ose zbulimi i thesareve natyrore të këtij vendi, i bën njerëzit më të ndërgjegjshëm pse duhet dashur vendi yt, pse duhet mbrojtur natyra dhe mjedisi ku ne jetojmë.

E thënë ndryshe, këto studime nuk janë harxhime të kota por fitimet janë në avancë edhe më të mëdha se shpenzimet.

Në aspektin shkencor, këto inovacione ose zbulime janë tregues i cilësisë së një institucioni të arsimit të lartë. Kanë pikët maksimale në një renditje midis institucioneve ose Universiteteve të ndryshme. Mjafton t’ju tregoj se për vitin 2018, sipas kompanisë më prestigjioze të vlerësimit të cilësisë së universiteteve në botë: TimesHigherEducation (WorldUniversityRanking), universiteti më i mirë në botë në fushën e Zoologjisë është vlerësuar ai i SaoPaolo-s në Brazil, për shkak të zbulimeve dhe publikimeve në fushën e zoologjisë.

-Nëntë vite rresht, nëntë zbulime në fushën e botanikës. Çfarë do të shohim në vazhdimësi?

Eh! Shpesh herë them me vete mjaft, aq më tepër që rreziku në punë me kalimin e moshës rritet, ashtu siç rriten edhe kostot e shëndetit.  Pastaj del ndonjëri nga rrethet, sidomos nga Kukësi apo Berati, Gjirokastra ose Vlora, si B. Hallaçi, A. Diku, F. Nako ose Nexhipi të cilët më ftojnë për të dalë në terren, dhe kështu prishet vendimi i marrë.

Nga ana tjetër, bashkëpunëtorët e huaj, duke qenë pjesë e një rrjeti të gjerë nga universitete të ndryshme Evropiane, shpesh kërkojnë sqarime të ndryshme, për çështje të ndryshme në kërkim ose bashkëpunime, gjë që moralisht të obligon të vazhdosh.

Ndonjëherë, pastaj të vjen edhe inat, kur dikush tjetër e publikon një lloj të ri që unë e kam gjetur dhe përcaktuar, dhe kështu fillon të analizosh dhe shkruash prapë.

Deri më tani, midis gjetjes së një arsyeje për të vazhduar, dhe arsyes pse të vazhdosh kur nuk është detyrim, aq më tepër kur kërkimi kërkon kohë dhe financime, ka fituar vazhdimi, duke ja ngarkuar familjes gjithë barrën financiare dhe kohore.

Kështu, ndoshta për vitin tjetër, do të kisha shumë dëshirë të realizojë numrin 10-të të inovacioneve ose llojeve, nënllojeve ose gjinive të reja në tërësi.

'Dhoma e Rrëfimit' rubrikë ekskluzive e Vox News.

***

©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

Video