Ndërtuesit paralajmërojnë rritjen e mëtejshme të çmimit të apartamenteve

13 May 2022, 07:56Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ndërtuesit paralajmërojnë rritjen e mëtejshme të
Foto ilustruese

Rritja e çmimeve të apartamenteve nuk duket se ka ndër mend të ndalet. Pritshmëritë e sipërmarrësve të sektorëve të ndërtimit janë që shtrenjtimi do të vazhdojë në muajt në vijim.

Në vrojtimin e Biznesit që bëhet rregullisht me sipërmarrjet nga Banka e Shqipërisë, subjektet e ndërtimit u pyetën për pritshmëritë e tyre për çmimet:

Si prisni të ndryshojnë çmimet që ju do të vendosni gjatë 3 muajve të ardhshëm?

-1. Do të rriten

-2. S’do të ndryshojnë

– 3. Do të bien

Balanca e përgjigjeve për muajin prill ishte 45, dmth 45% më shumë subjekte të ndërtimit të anketuara mendojnë se çmimet do të rriten, në raport me ata që mendojnë të kundërtën. Ndonëse në rënie të lehtë në raport me muajin e mëparshëm (49.6), pritshmëritë për rritjen e çmimeve vijojnë të mbeten afër niveleve maksimale historike (shiko grafikun: Si prisni të ndryshojnë çmimet që ju do të vendosni gjatë 3 muajve të ardhshëm?).

Të kontaktuar nga “Monitor” ndërtuesit japin si arsye kryesore për shtrenjtimin e pritshëm, rritjen e ndjeshme të lëndëve të para.

Kostot e ndërtimit janë shtrenjtuar nga rritja e çmimeve te materialeve të ndërtimit. Rritja më e madhe ka qenë për hekurin me 80 deri 90% më shumë se vjet. Shpenzimet për hekurin janë rritur 30 deri 40 euro për metër katror ndërtimi. Rritje të çmimeve ka edhe për materialet e tjera të ndërtimit, si: betoni, çimento, dyer dhe dritare alumini. Rritje të larta të çmimeve ka pasur edhe të materialeve që përdoren për instalimet elektrike. Për disa materiale me përbërje bakri rritja e çmimit shkon edhe 2 deri 3 herë e lartë.

Arben Dervishi nga shoqata e ndërtuesve thotë se kostoja e ndërtimit për apartamentet në periferi ka arritur 600 euro/m2 nga 400 euro që ishte më parë, për shkak të shtrenjtimit të lëndëve të para.

“Kostoja e ndërtimit për objekte në zonat periferike nga 400 euro ka arritur 600 euro/m2. Kësaj kostoje në çmimet e shitjes i shtohen edhe taksat e bashkisë që zëne 11% te vlerës se shitjes te apartamentit, dhe të pronarit të truallit nga 35 deri 50%”, pohon ai.

 


Video