Bordi i Transparencës ka caktuar çmime të reja për karburantet, por vetëm për benzinën.
Çmimi i naftës ka mbetur i pandryshuar, teksa do të vazhdojë të shitet me pakicë me 240 lekë/litri. Ka pësuar ulje me 12 lekë çmimi i benzinës, i cili do të tregtohet me pakicë me 221 lekë/litri nga 233 lekë që ishte më parë.
Po ashtu, ka mbetur i pandryshuar edhe çmimi i gazit i cili do tregtohet me 81 lekë. litri.
Çmimi i ri i benzinës do të futet në fuqi prej orës 18:00 të pasdites së sotme dhe do të jetë i vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit.
Kujtojmë se në bursë këtë të enjte çmimi i naftës për fuçi ka pësuar rënie të ndjeshme ne 97.23 dollarë për fuçi.
Njoftimi i plotë:
Bordi i Transparencës në datë 14 Korrik 2022, në mbledhjen e radhës vendosi:
-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 240 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 228 lekë/litër.
-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 221 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 209 lekë/litër.
-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 81 lekë/litër edhe i shitjes me shumicë 69 lekë /litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 14 Korrik ora 18.00 p.m dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë.