Konflikt me drejtorin, Saimir Tahiri lë burgun e Fierit dhe transferohet në Lushnjë

14 July 2022, 15:48Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Konflikt me drejtorin, Saimir Tahiri lë burgun e Fierit dhe transferohet
Saimir Tahiri

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është transferuar nga burgu i Fierit në burgun "Kosova" të Lushnjës. Ky transferim vjen pas kërkesës së familjarëve për të qenë sa më afër ish-ministrit.

Saimir Tahiri ka kërkuar transferimin në burgun e Lushnjës edhe për shkak të një konflikti që kishte me drejtorin e burgut të Fierit dhe se nuk ishte i kënaqur me kushtet e qelisë ku ndodhej.

Nga ana tjetër pritet që Saimir Tahiri pas kësaj lëvizjeje dhe kërkesës tjetër që kishte dorëzuar në Gjykatën e Lartë për pezullim dënimi pasi i rrezikohet jeta në burg, të kërkojë shërbimin e provës për dënimin që i ka mbetur.

Më 4 shkurt të këtij viti, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dënoi me vendim të formës së prerë ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin. Gjykata dënoi me 5 vite burg Tahirin, por për shkak të gjykimit të shkurtuar përfitoi ulje dënimi, duke u dënuar përfundimisht me 3.4 vite burg.

Pas dënimit, Tahiri u transferua në burgun 313 në kryeqytet dhe më pas u zhvendos në burgun e Fierit, por pas qendrimit disa muaj në qelitë e këtij institucioni, transferohet në burgun e Lushnjës.


Video