Detaje të reja/ BMW-ja që u qëllua me breshëri plumbash ishte nisur për të kryer atentat?

29 March 2022, 19:46Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Detaje të reja/ BMW-ja që u qëllua me breshëri plumbash

Një mjet tip BMW me targa të vjedhura u qëllua ditën e sotme me breshëri plumbash në aksin Elbasan-Peqin, në vendin e quajtur Kryqëzimi i Cërrikut në fshatin Papër.

Mësohet se 20 plumba automatiku janë lëshuar në drejtim të makinës nga një mjet tjetër në lëvizje. Objektivi po lëvizte në drejtimin nga Elbasani për në Peqin.

Mjeti ka vazhduar rrugën edhe për rreth 100 metra dhe ka ndaluar pranë një lokali të braktisur në anë të rrugës. Autorët që kanë qenë brenda mjetit e kanë braktisur atë dhe janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Pas ngjarjes, forca të shumta policie janë nisur drejt fshatit Papër dhe kur kanë shkuar në vendngjarje kanë gjetur vetëm mjetin e qwlluar disa herë nga plumbat dhe me gomat e shfryra.

Menjëherë ka nisur puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Nga verifikimet e kryera rezulton se targa e mjetit tip BMW ka qenë e vjedhur në Durrës më datë 18.04.2021. Nga kontrolli brenda mjetit një bidon të mbushur me 5 litra benzinë.

Ende mbeten mister rrethanat e kësaj ngjarje. Targat e vjedhura dhe benzina brenda mjetit kanë bërë që hetuesit të dyshojnë se ka qenë pikërisht ky mjet dhe personat brenda tij që mund të jenë nisur për atentat dhe ndoshta plani nuk ka funksionuar pasi janë pikasur nga grupi tjetër.

Pista e hetimit mbetet ajo e një atentati mes grupeve rivale, por që nuk ka funksionuar.

Policia dhe prokuroria Elbasan po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

 


Video