
Bordi i administrimit të çmimit të karburanteve e ka caktuar këtë të martë çmimin e tyre të paktën 8 lek mbi çmimin që del nga formula përllogaritëse që vetë bordi thotë se aplikon.
Sipas të dhënave zyrtare që publikon Agjencia e Prokurimit Publik, çmimi i gazoilit që zhdoganohet sot është 1177 dollarë për ton. Sipas formulës, këtij çmimi i shtohet një premio prej 20 dollarësh, taksat, marzhi 1 për qind fitim për tregtarët me shumicë dhe marzhi 5 për qind për tregtarët me pakicë.
Nga përllogaritjet e A2 CNN, me kursin e sotëm të dollarit, nafta kushton rreth 113 lekë për litër pa taksa, ndërsa në pompat e karburantit duhet të ishte maksimalisht 229 lekë, 8 lekë më lirë nga sa ka vendosur sot Bordi i Transparencës.
Në pikat e tregtimit me pakicë për datat 29 dhe 30 mars, karburanti do të shitet për 237 lekë për litër, benzina për 211 lekë për litër, ndërsa gazi me 116 lekë për litër, me këtë të fundit që shënon një rekord të ri në treg.
Krahasimisht, në datën 23 mars, kur nafta e përpunuar vinte në port edhe më shtrenjtë, me 1204 dollarë për ton, bordi vendoste një çmim prej 227 lekësh për litër, dhe sot kur vjen më lirë, vendos një çmim më të lartë.