
Dhjetëra qytetarë kanë nisur sot protestën e nëntë përpara Kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve.
Që prej fillimit të rritjes së çmimeve mijëra qytetarë janë mbledhur nga zona të ndryshme të Shqipërisë. Ata kanë pasur të njëjtat thirrje, “të ulen çmimet”, “kërkojmë një jetë me dinjitet”.
“Po rimobiliziohemi sërish, me të njëjtat kërkesa, çmimet po ndryshojnë çdo ditë. Sa i përket çmimeve të ushqimeve po rriten çdo ditë. Jemi në të njëjtën situatë si më parë. Çmimi i naftës ra, pastaj u rrit sërish. Javën e fundit ka shkuar në rritje. Protesta ka një impakt shumë të madh”, tha një vajzë në protestë.
Sa i përket pjesëmarrjes së ulët më protestën e sotme, vajza tha se numri i qytetarëve të pranishëm do të rritet në vijim, siç ka qenë më parë.
Ndërkohë për kryeministrin Rama protestuesit janë një pakicë që kërkon të bëjë rrëmujë dhe jo populli. Ai ka prezantuar një paketë të rezistencës sociale që do vijë në ndihmë për të lehtësuar krizën ekonomike.