
Plot 8 gola janë shënuar në sfidën Angli-Iran, e cila përfundoi me rezultatin 6-2, e vlefshme për Grupin B të Botërorit “KATAR 2022”.
Një nisje perfekt për “Tre Luanët” e Southgate që fituan bindshëm me nga tre gola të shënuar për çdo fraksion loje. Pavarësisht rrjetave të shumta, goli i parë do të vinte në minutën e '35 nga Bellingham, teksa në pjesën e parë shënuan edhe Saka dhe Sterling.
Në minutën e '62 Saka do të gjente sërish rrugën e rrjetës duke shënuar dopietë personale, teksa realizuan më pas edhe Rashford edhe Grealish, të cilët hynë si zëvendësues.
Të dy golat për Iranin u shënuan nga Taremi, i cili realizoi fillimisht në minutën e '65 dhe më pas në minutat shtesë shndërroi në gol një 11-metërsh të dhënë nga sistemi VAR.
Mbrojtja dhe qendërsulmuesi Kane, i cili nuk arritit të shënonte duket se janë shqetësimet e vetme për Anglinë sot. Për shkak të ndërhyrjeve nga VAR dhe dëmtime, në fushën e blertë u luajtën plot 117 minuta.
Për t’u evidentuar në këtë sfidë ishte edhe momenti i himneve, pasi disa futbollistë të Iranit refuzuan ta këndonin për shkak të regjimit në vendin e tyre.