ANALIZA: Argjentina, Brazili dhe Franca, po sikur surpriza të jetë Portugalia?

20 Nëntor 2022, 17:45Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ronaldo, Bruno Fernandes dhe Pepe, lideret e Portugalise.

Katar 2022 nisi sot dhe tashmë janë vlerësuar edhe skuadrat që mund ta fitojnë këtë Botëror. Argjentina, Brazili dhe Franca shihen si favoritët kryesorë.

Gjermania, Anglia, Spanja dhe Belgjika janë një shkallë më poshtë. Pastaj janë skuadrat që mund të bëjnë surpriza, si Holanda dhe mbi të gjitha Portugalia e Ronaldos, pa lënë mënjanë kombëtare me nivel të lartë teknik, si Kroacia dhe Serbia.

Argjentina

Skaloni e nisi si trajner i përkohshëm dhe më pas u bë një pikë e rëndësishme e Argjentinës. Rezultatet janë në anën e tij, trofeu i Kupës së Amerikës dhe kualifikimi i lehtë për në Botëror. Ai ka arritur t’i japë skuadrës një organizim të nivelit të lartë, që di të sillet si një skuadër klubi.

Emiliano Martinez i Aston Vilës mbron portën, në mbrojtje luajnë Molina, Romero, Otamendi ose Lisandro Martinez dhe Tagliafiko. Në mesfushë janë De Paul, Paredes dhe Rodriguez, kurse në sulm tredhëmbëshi Mesi-Lautaro-Di Maria, me rezerva luksi si Dibala dhe Julian Alvarez.

Brazili

Tite është sinteza perfekte mes "jogo bonito" të viteve më të mira të Seleçaos dhe një qasjeje ofensive europiane. Grupi ka një nivel shumë të mirë. Në portë Alison dhe alternativë Ederson. Në mbrojtje Danilo dhe Aleks Sandro (ose Aleks Teles) në krahë dhe dyshja Tiago Silva-Markinjos në qendër. Rezerva janë Bremer dhe Militao.

Në mesfushë Kasemiro dhe Fred, me alternativa Fabinjo dhe Paketa, nëse do të luhet me tre. Sulmi i Brazilit ka në përbërje Rafinjën dhe Vinicius në krahë dhe Nejmar pas shpinës së Gabriel Jesus. Antoni, Martineli, Pedro, Rodrigo dhe Riçarlison kompletojnë një grup sulmuesish shumë cilësorë.

Franca

Deshamps është kampion në fuqi dhe do synojë ta ruajë kurorën. Rreziku është ai i mungesës së stimujve, por ‘gjelat’ janë goditur fort edhe nga mungesat për shkak dëmtimi, Benzema i fundit.

Përpara Loris do të jenë tre mbrojtës, Kounde, Konate dhe Varane, me Upamekano ose Lukas Hernandez alternativa. Pavard dhe Teo Hernandez në krahë. Rabiot, Tçouameni dhe Kamavinga në mesfushë. Më përpara Grizman, pas Mbape dhe Zhiru ose Dembele, pasi Benzema, fitues i ‘Topit të Artë’, nuk ia doli.

Gjermania

Lëv ia la vendin Flik, duke i dorëzuar një Gjermani jo në lartësinë e zakonshme. Në portë ka kualitet dhe mundësi zgjedhjeje mes Nojer, Ter Shtegen dhe Trap. Në mbrojtje, përveç Rudiger, nuk ka lojtarë që bëjnë diferencën. Në mesfushë është boshti i Bajernit: Gnabri, Goretzka, Kimish, Musiala dhe Myler. Aty shtohet edhe kualiteti i Gundogan të Sitit. Në sulm Flik mund të zgjedhë mes eksperiencës së Gëces, impenjimit të Havertz, freskisë së Moukoko dhe shpejtësisë së Sane.

Anglia

Skuadra e Southgejt nuk duket ajo e Rusi 2018, apo Europianit të shtëpisë. Trajneri kritikohet për besimin e tepruar ndaj Meguajër në mbrojtje dhe lënien jashtë të Tomorit dhe Smolling. Dajer dhe Ston (ose Uollker) kompletojnë mbrojtjen me Aleksander Arnold dhe Shoë në krahë. Në mesfushë dyshja Rajs-Belingham dhe përpara sulmi me Sterling-Kejn dhe Foden. Grilish, Medison, Rashford, Saka dhe Uillson mbeten alternativa.

Spanja

Luajti futbollin më tërheqës në Euro 2020. Luis Enrike beson në një 4-3-3 pozicional, që fillon me Unai Simon në portë. Karvajal ose Azpilikueta në të djathtë, Erik Garsia dhe Pau Torres në qendër dhe Zhordi Alba majtas. Mesfusha ka shumë klas me një regjisor si Buskets, dhe Gavin e Pedrin. Në sulm Ferran Torres ose Jeremi Pino djathtas, Morata, Asensio ose Sarabia në qendër dhe Dani Olmo ose Ansu Fati majtas.

Belgjika

Edhe skuadra e Roberto Martinez, pas zhgënjimit në Europian, nuk duket ajo e Rusisë. Beson te një nga portierët më të mirë në botë, Kurtua. Në 3-4-3-shin e Belgjikës, në mbrojtje janë pika fikse Alderveireld dhe Vertonghen.

Meunier dhe Karrasko janë dy anësorët e një mesfushe me 4 lojtarë, që në qendër ka Tilemans dhe Vitsel. Nëse sulm, nëse Lukaku nuk rikuperohet, janë gati Mertens, Trssard, ose Batcuaji. Sulmuesi kryesor do të ketë nga pas mbështetjen dhe klasin e De Bryjne dhe Hazard.

Holanda

E drejtuar nga një prej trajnerëve që kanë bërë historinë e futbollit, Luis van Gal, Holanda mund të jetë një nga surprizat. Ajo mund të shfrytëzojë pragmatizmin e saj. Mund të zgjedhë skemën 5-3-2 të Botërorit të Brazilit 8 vjet më parë. Pak cilësi në portë, ku kandidatë janë Bijlov i Fejnordit, Nopert i Herenveen dhe Pasver i Ajaks.

Mbrojtja është solide dhe van Gal mund të zgjedhë mes Ake, Timber, de Ligt dhe de Vrij dy lojtarët që do t’i bashkohen van Dijk. Në krahë Dumfris djathtas dhe Blind majtas. Në mesfushë Kopmeiners, De Jong dhe Berghuis japin garanci. Në sulm, Depai mund të ketë në krah Gapko, fenomenin e ri të PSV-së.

Portugalia

Santos ka në skuadrën e tij një grup me talent të jashtëzakonshëm. Në krahë Kanselo dhe Nuno Mendes, kurse në qendër Ruben Dias dhe Danilo ‘blindojnë’ mbrojtjen. Në mesfushë Uilliam Karvalo dhe Ruben Neves janë dy kolona të forta, Vitinja alternativë. Në sulm mungon Diogo Jota për shkak dëmtimi. Santos beson te lojtarë si Bruno Fernandes dhe Bernardo Silva pas Kristiano Ronaldos, që luan Botërorin e fundit.

Dhe të mendosh që Leao dhe Zhoao Feliks do të ishin yje të paprekshëm thuajse në gjithë skuadrat e tjera. Fernando Santos ka krijuar një grup miks lojtarësh ekspertë dhe të rinjsh mjaft të talentuar. Portugalia mund të jetë surpriza e madhe.

Kroacia dhe Serbia

Dy skuadrat ish-jugosllave kanë më pak shanse për të fituar, por kanë të drejtën për t’u futur në grupin e më të mirëve. Kroacia është nënkampione bote, kurse Serbia ka një skuadër me kualitet të lartë. Në mesfushë trajneri Zllatko Daliç mund të zgjedhë mes Modriç, Kovaçiç, Brozoviç, Pasaliç dhe Vlasiç, ndërsa përpara ka Perisiç, Kramariç, Orsiç dhe Petkoviç.

Safet Susiç, trajneri i Serbisë, ka në skuadër Vanja Milinkoviç-Saviç, Milenkoviç, Pavloviç, Sergej Milinkoviç-Saviç, Lukiç, Kostiç, Iliç, Lazoviç, Tadiç, Mitroviç, Vlahoviç, Djuriçiç, Joviç dhe Radonjiç. Mjafton kjo listë për të kuptuar se çfarë cilësie ka Serbia.

Video