Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me vendimin e Kosovës dhe Serbisë për zbatim të marrëveshjes për energjinë ndërmjet tyre, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan se kjo është rruga e duhur, ndërsa të tjerat janë humbje kohe duke mashtruar veten.
"Gjë shumë e mirë marrëveshja e firmosur mes Kosovës e Serbisë për energjinë në Veri. Kjo është rruga e duhur. Të tjerat janë humbje kohe duke rrejt veten!" shkruan Rama në Twitter.
Kujtojmë se në bazë të marrëveshjes së sotme, i hapet rruga furnizimit me energji elektrike 4 komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Do të jetë Elektrosever, një kompani me pronësi serbe e themeluar në Kosovë e cila do të fillojë furnizimin. Qytetarët e komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok, kryesisht me shumicë serbe, nuk kanë paguar për energjinë elektrike të shpenzuar që nga viti 1999.