
Në një deklaratë për mediat presidenti Ilir Meta ka kërkuar që parku Kombëtar i Butrintit të mos i jepet një organizate shoqërore siç janë OJF-të.
‘Është detyrim i shtetit shqiptar ruajtja e tij. Parku Kombëtar i Butrintit është një pasuri e paluajtshme. Përgjegjësia e ruajtjes dhe administrimit të pasurive nuk mund të kalojë në një organizëm shoqëror siç janë OJF-të. Nuk parashikohet që këto fondacione të kenë të drejtë administrimi. Shteti nëse do të aplikojë këtë formë të re administrimi do duhej të ruante në mënyrë të palëkundur interesat vendimmarrëse. Një tjetër e metë është fakti për dhënien e titullit partner strategjik.
Kam vlerësuar se kjo çështje duhet të shqyrtohet me kujdes maksimal nga Kuvendi i Shqipërisë. Për një pasuri të tillë duhet të ishte marrë e gjithë ekspertiza e zyrës së UNESCOS. Ka mungesë transparencë. Asgjë e keqe nuk mund t’i vijë Kuvendit nga diskutimi për këtë trashëgimi tonën', tha Meta.
Sipas Metës, kjo marrëveshje nuk ka qenë transparente, madje sipas tij një nga të metat kryesore ishte se u shmang kontrolli nga KLSH.
"Përgjatë shqyrtimit të ligjit në parlament është kërkuar nga deputetja Ina Zhupa dëgjesa, po këto janë anashkaluar nga kuvendi.
Nëse Kuvendi do të kishte treguar pak kujdes duke qenë se bëhet fjalë për pasuri kishte dy mundësi zgjidhje, ose të riparonte të gjitha të metat gjatë procesit parlamentar ose të kthente propozimin pranë qeverisë me rekomandimet konkrete.
Një tjetër problematike e konstatuar është fakti se marrëveshja shmang kontrollin apo auditimin nga KLSH. Kjo është e papranueshme sipas kushtetutës, pasi ajo që po jep shteti është pasuri publike me vlera universale", tha ai.