Kryeministri Edi Rama dhe homologu Albin Kurti, folën sërish për nismën e Ballkanit të Hapur, një nismë rajonale ku Shqipëria është bashkëthemeluese, ndërsa Kosova refuzon të bëhet pjesë për shkak të mosmarrëveshjeve me Serbinë.
“Marrëdhëniet tona janë vëllazërore, vëllezërit nuk kanë ndërmjetësues. Ballkani i Hapur është një nismë shumëpalëshe dhe lidhur me të nuk kam asgjë për të shtuar”, tha Albin Kurti.
Ndërsa kryeministri Edi Rama theksoi se Ballkani i Hapur nuk e ndajn Shqipërinë dhe Kosovën.
“Ballkani i Hapur nuk na ndan. Në këtë pikë kemi këndvështrime të ndryshme, por nuk na pengojmë që në marrëdhëniet bilaterale ne të vazhdojmë të ecim para. Porosia ime për qeverinë që drejtoj është se çdo që gjë ne jetësojmë në Ballkanin e Hapur duhet të jetësojmë dhe me Kosovën”, tha Rama.
“Kam dhe një lajm për ata që kërkojnë të gjejnë arsye që bëjnë komente mbi mosmarrëveshje dhe mungesë të ecurisë së duhur të punës mes dy qeverive”, vijoi Rama, duke theksuar: “Me qeverinë aktuale kemi shkallën më të lartë të nënshkrimit të marrëveshjeve të nënshkruara përfshirë dhe ato të kaluara. Shpresoj të konsiderohet fakt dhe jo për spekulim se jam i painteresuar të përfshihem në jetën politike të Kosovës”.
Rama ofroi dhe një bilanc ekonomik në shifra: “Volumi tregtar mes Shqipërisë dhe Kosovës ka qenë 136 milionë euro, volum qesharak. Sot jemi në 433 milionë euro që nuk është ende volumi që kemi ambicien të arrijmë, pasi e kemi deklaruar që duam më shumë se 1 miliard, por nuk mund ta quash më të papërfillshëm. Nuk është një shifër me pak domethënie, por rezultat i mundit, i djersës, ambicies së sipërmarrësve shqiptarë dhe i nxitjeve që kemi mundur të krijojmë”.