Përplasje tek PD e Berishës në Korçë, qendra paralajmëron kryetarin e degës (DOKUMENTI)

21 June 2022, 16:45Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Përplasje tek PD e Berishës në Korçë, qendra
Mbledhja e Kryesisë së PD

Teksa të gjithë presin bashkimin e dy palëve të PD-së, duket se dhe ato po shkojnë drejt ndarjeve në grupime të tjera më të vogla. Tashmë edhe publikisht individë të caktuar brenda kampit të Berishës po sulmojnë njëri-tjetrin, teksa e njëjt gjë po ndodh me grupime dhe indivë edhe jashtë qendrës.

Duket se përplasja mes dy grupimeve të kampit në Berishës në degën e Partisë Demokratike ka arritur kulmin.

Anëtarët e Kryesisë së kësaj dege të dalë nga zgjedhjet e 13 Majit të këtij viti kanë mbajtur pasditen e djeshme mbledhjen e parë, por në fakt ajo Kryesi nuk njihet nga qendra dhe kjo mbledhje e ka tensionuar edhe më shumë situatën.

Komisioni i Organizimit të Kontrollit dhe Operacioneve Elektorale në PD ka marrë vendimin për përsëritjen e zgjedhjeve më 25 Qershor për Kryesinë e degës së Korçës pas vërejtjes së problematikave gjatë zgjedhjeve të kaluara. Një pjese e demokratëve të Korçës pretendojnë se lista me emrat e Kryesisë që u mblodh ditën e djeshme janë caktuar nga kafja e lagjes dhe nuk janë marrë për bazë votat e tyre.

Lidhur me mbledhjen e djeshme të Kryesisë së PD-së së Korçës, e cila zyrtarisht është e paligjshme duke u bazuar tek vendimi i qendrës, ka reaguar edhe Komisioni i Organizimit të Kontrollit dhe Operacioneve Elektorale në PD.

Përmes një shkrese dërguar kreut të degës, Devis Osmani, KOKOE e konsideron nul konstituimin e Kryesisë, teksa e paralajmëron se çdo akt tjetër i mëtejshëm do të përbënte shkelje të rënda të vendimeve të institucioneve statutore të PD-së. KOKOE i kërkon kryetarit të degës të nisë përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve të reja për Kryesinë më 25 Qershor.

"Mosmarrja e këtyre masave, sipas afateve, do të cenonte mbarëvajtjen e mirë të procesit të votimit për kryesinë e degës. Në një rast të tillë, KOKOE do t’i kërkojë Kryesisë së PDSH-së marrjen e masave disiplinore për personat përgjegjës." thuhet në letrën drejtuar kreut të degës së Korçës, Devis Osmani.

Një pjesë e demokratëve të Korçës, duket se s'po i bindet vendimeve të qendrës, duket përfshirë dhe vetë kryetarin Devis Osmani, pasi dhe ai ka qenë pjesë e mbledhjes së djeshme. Pritet të shihet se çdo të ndodhë në vijim.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video