
Vendimi i Kuvendit të Shqipërisë për të mos miratuar rezolutën që dënon si genocid krimet serbe në Srebrenicë është pasqyruar gjerësisht në mediat boshnjake.
Një pjesë e këtyre mediave, sidomos ato online kanë dalë me qëndrime të hapura kundër Shqipërisë, madje kanë bërë thirrje për qytetarët vendas që të bojkotojnë produktet shqiptare dhe të mos vizitojnë bregdetin e Shqipërisë.
Gjatë seancës së Kuvendit, deputeti i PD-së, Tritan Shehu kërkoi miratimin e rezolutës që dënon si genocid krimet serbe në 1995 në Bosnje.
Rezoluta mori mbështetjen e Berishës, që kërkoi votimin unanim të saj. Por, socialistët e rrëzuan me 51 vota kundër, duke akuzuar Berishën se duhej të ishte i fundit që të kërkonte një rezolutë të tillë, pasi ai shkeli embargon e naftës për Serbinë dhe ushqeu me karburant makinerinë vrastare të Millosheviçit.
Mbi 8 mijë burra boshnjakë u ekzekutuan nga forcat serbe gjatë rrethimit të Srebrenicës.